E paprecedentë/ Përplasje te Luftëtari, skuadra zbret në fushë pa stafin mjekësor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2019 | 11:15

E paprecedentë/ Përplasje te Luftëtari, skuadra zbret në fushë pa stafin mjekësor

Luftëtari arriti të shtunën e kaluar fitoren e parë për këtë kampionat kundër Flamurtarit në Gjirokastër, duke rikthyer disi qetësinë në skuadër pas tri humbjeve radhazi në start.

luftetari skenderbe2

Dihet tashmë që problemet në organizim para fillimit të sezonit kanë lënë pasoja të mëdha në klub, por pas lëvizjes së trajnerëve Klevis Dalipi dhe Klodian Duro, gradualisht skuadra po merr formë. Që prej datës 29 korrik, kur zbriti për herë të parë në fushë dhe deri më tani, skuadra mund të thuhet se është futur në shina. Mirëpo, në momentin kur gjërat po shkojnë drejt përmirësimit në çdo strukturë të klubit, dje ka ndodhur një e papritur.

“Panorama Sport” mëson se në seancën e zhvilluar të hënën në fushën sportive “Lefter Millo” të fshatit Dervician, skuadra nuk ka pasur në dispozicion stafin mjekësor të përbërë nga mjeku Vladimir Bakalli dhe fizioterapisti Juxhin Korbeci. Zyrtarisht, nga ana e klubit nuk jepen detaje, por gazeta mëson se pas ndeshjes me Flamurtarin, ka pasur përplasje mes drejtuesve dhe njërit prej pjesëtarëve të stafit mjekësor, prandaj dhe kjo mund të jetë një arsye që dje të dy nuk janë paraqitur në fushën e stërvitjes pranë skuadrës.

Kjo është një situatë e paprecedentë te Luftëtari, pasi dyshja Bakalli-Korbeci kanë qenë çdo ditë me ekipin, edhe pse në të njëjtën kohë janë punonjës në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Sot do të mësohet më tepër për stafin mjekësor, teksa gjasat janë që gjërat të sheshohen dhe të dy të rikthehen në detyrë, duke vazhduar punën normalisht si më parë.

SITUATA – Luftëtari i nisi përgatitjet për ndeshjen e Kupës ndaj Turbinës së Cërrikut që të dielën, kur trajneri Jorgos Marantas zhvilloi një seancë të plotë me grupin e lojtarëve që nuk mori minuta në ndeshjen kundër Flamurtarit. Objektivi i Luftëtarit në Kupë është të shkojë sa më larg, duke përsëritur, pse jo, edicionin e kaluar, kur edhe ishte pjesë e turit gjysmëfinal.

Luftetari miqesore

Për ndeshjen ndaj cërrikasve, e cila do të luhet nesër në orën 16:00 në stadiumin “Nexhip Trungu”, por gjithashtu edhe për takimin e kampionatit me Vllazninë të dielën në Shkodër, Luftëtari nuk do të ketë shërbimet e kapitenit Donald Rapo. Ky i fundit u dëmtua ndaj Flamurtarit në kavilje dhe do të qëndrojë disa javë jashtë fushave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"