E padëgjuar më parë, klubit i “festojnë” të… 40-tat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 19:34

E padëgjuar më parë, klubit i “festojnë” të… 40-tat (E PLOTË)

Kur një njeri humb jetën, të afërmit i bëjnë nderimet sipas traditës së vendit tonë, sidomos me të 40-at, teksa e përkujtojnë. Deri më sot, ishim mësuar që të 40-at u bëhen vetëm njerëzve që kanë humbur jetën, por e kemi ditur gabim.

domosdova 40 vjetori

Të 40-at mund të përkujtohen edhe në futboll, për një klub i cili ka ekzistuar dhe tanimë është shkrirë. Ky rast vjen nga Përrenjasi, me ekipin e Domosdovës, i cili para pak ditësh festoi 40- vjetorin e krijimit dhe njëkohësisht bënë të 40-at e klubit, pasi disa javë më parë është zyrtarizuar edhe shkrirja e ekipit të futbollit.

40-vjetori

Në vitin 1978 lindi futbolli në Përrenjas, ku për nder të betejës së fituar nga Skënderbeu ndaj osmanëve në fushën e Domosdovës, klubit iu vendos ky emër. Për të përkujtuar këtë festim jubilar, disa prej ish-futbollistëve të këtij ekipi ndër vite, në bashkëpunim me një biznesmen vendës, bënë të mundur organizimin e një ceremonie të thjeshtë.

Përveç kujtimeve të bukura të kohës së tyre dhe arritjeve modeste të ekipit në këto 40 vite, situata e tanishme nuk të jepte motiv për të festuar. Të festosh për një ekip të “vdekur” stonon shumë, por gjithsesi vlen për t’u përshëndetur fakti që brezat e vjetër në këtë qytet të njohur kryesisht për minierat, mblidhen dhe përkujtojnë një klub që deri dje ishte një nga argëtimet e vetme për këtë qytet të vogël.

Domosdova

Të 40-at

Por, çfarë festuan ishlojtarët e Domosdovës?! Përkujtuan një klub që lindi 40 vite më parë dhe tani nuk ekziston më. Rënia e skuadrës në Kategorinë e Tretë vitin e kaluar bëri që bashkia e qytetit, si pronarja e vetme e klubit të Domosdovës, të shkrijë futbollin në këtë qytet. Mungesa e një terreni sportiv dhe fakti që është një bashki e vogël, bëri që në të njëjtën ditë me 40-vjetorin e krijimit të klubit, t’i bëheshin edhe të 40-at.

Duket si një rastësi jo e bukur, pasi pikërisht në këtë datë kur ish-figurat e këtij klubi prisnin arritje më të mëdha, ndodh që t’i bëjnë të 40-at një ekipi që nuk jeton më. Një sezon më parë, Domosdova e provoi duke i luajtur ndeshjet si skuadër pritëse në Elbasan, por për një bashki të vogël si ajo e Përrenjasit, kostot ishin shumë të mëdha. Një gjë e justifikueshme, pasi në të tilla kushte, bashkia e kishte të pamundur që të mbante gjallë klubin.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"