“E organizoja unë shpesh lojën sepse disa prej nesh nuk i xhironin këmbët”, fantazisti Handa: Fajin e ka Juvja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 14:38

“E organizoja unë shpesh lojën sepse disa prej nesh nuk i xhironin këmbët”, fantazisti Handa: Fajin e ka Juvja!

Duke lënë mënjanë rastet e shpëtuara nga Muso, nëse Interi arriti që të dilte pa dhimbje të mëdha dje në Bergamo, atëherë duhet të falënderojë kapitenin e tij, Samir Handanoviç. Slloveni jo vetëm që bëri disa herë mrekullinë duke shmangur gola të sigurt, por nga ana tjetër u vu re se ishte ai fantazisti i prapavijës, lojtari që organizonte lojën nga prapa dhe arsyeja ishin 120 minutat e luajtura kundër Juventusit, prandaj Handa e sheh pozitive pikën e marrë në transfertë. Në të njëjtën kohë, portieri veteran e mbajti portën e tij të paprekur për të pestën ndeshje me radhë, diçka që në radhët e milanezëve nuk shihej që prej sezonit 1993-1994.

INTER

Samir, një ndeshje e komplikuar… Mendoni se ky barazim ishte diçka pozitive për vazhdimësinë dhe vetëbesimin?

Për mënyrën se si shkoi ndeshja, mendoj se ishte një barazim pozitiv. Sigurisht që i patëm edhe ne një mori me raste për ta fituar takimin, por në të njëjtën kohë edhe mund ta kishim humbur. Prandaj, mund të them se ishte rezultati i duhur, pasi në Bergamo kundër Atalantës askush nuk e ka kurrë të lehtë.

Pamë një Inter që lëvizte më pak, ndonëse kishit disa forca të freskëta më shumë në stol sesa Atalanta. Pse ndodhi kjo?

E vërtetë, por për këtë fajin e ka ndeshja me Juventusin. Në finalen e Superkupës shpenzuam shumë. Ishin 120 minuta intensive me Juven që na detyruan shpesh të bënim kilometra boshe. Prandaj, duke parë se nuk ishin në formën maksimale, e ritheksoj se kjo pikë e marrë këtu ishte diçka mjaft pozitive për ndjekjen e titullit kampion.

Përveçse bëtë disa mrekulli, duke shmangur disa gola të sigurt, ju pamë që shpesh të bënit edhe organizatorin, duke luajtur shpesh shumë metra larg portës…

Po, më duhet ta luaja unë shumë shpesh topin mbrapa, pasi shumë prej shokëve të mi këmbët nuk i xhironin në mënyrën e duhur. E thashë, me Juven ishin 120 minuta sfilitëse dhe mjaft prej nesh nuk kishin mundësinë dhe energjitë që të bënin metra të kotë për t’u kthyer disa metra prapa. Unë mendoj se di ta bëj mirë shpërndarjen e lojës dhe jam i kënaqur me atë që bëra, si me duar, ashtu sikurse me këmbë.

Na e shpjegoni se si mund të ndalet ajo gjuajtje e Murielit, pak centimetra përballë jush?

Pashë drejtimin e topit dhe e kuptova se si mund ta godiste Murieli. Nuk kam nevojë të studioj lojtarin, edhe pse Murielin e njoh prej shumë vitesh. Fundja, për këtë stërvitem çdo ditë, për të tilla raste.

Nesër (sot) Milani mund t’ju parakalojë nëse mund Specian. Mendoni se kjo do të ndikonte psikologjikisht keq te ju, ndonëse jeni në pritje edhe të vendimit të ndeshjes së anuluar me Bolonjën?

Do të ndikojë zero. Kemi ende gjysmë kampionati për të luajtur dhe një ndeshje më pak. Kush lufton për titullin, nuk mund t’i dorëzohet presionit. Madje, ideja ime është që kur nuk mund ta fitosh një ndeshje si kjo me Atalantën, atëherë prano që ta barazosh atë.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"