“E njoh Teutën, dua pikë dhe Bylis argëtues”, Dovedan: Projekti i presidentit me mua është në rrugë të mbarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 11:32

“E njoh Teutën, dua pikë dhe Bylis argëtues”, Dovedan: Projekti i presidentit me mua është në rrugë të mbarë

Bylisi luan një ndeshje të rëndësishme sot në Durrës dhe pas paraqitjes së mirë me Tiranën ballshiotët kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv ndaj Teutës. Trajneri Veljko Dovedan foli para ndeshjes për “Panorama Sport” ku tregoi situatën në ekip dhe lëvizjet që kanë ndodhur. Sipas tij, edhe pse Bylisi luan me një nga ekipet më të forta, është parë qartë se si është mundur skuadra e tij në dy ndeshjet e vjetshme në Durrës. Dovedan e thotë hapur se Bylisi do të bëj futbollin e bukur dhe do të synojë tri pikët në “Niko Dovana”.
Dovedan
Pas barazimit me Tiranën, Bylisi luan në Durrës…
Ne po bëjmë më së miri punën tonë. Stërvitemi dhe po përpiqemi që në fushë të luajmë si të barabartë me të gjithë. Ndaj Tiranës, edhe pse me mungesa, Bylisi dominoi në mbajtjen e topit dhe raste në portë, për të mos folur më pas për penalltinë, ku shpresoj të jetë e fundit që nuk na jepet apo që na jepen të dyshimta.
Teuta stervitje
Sa e njihni Teutën, në Ballsh barazuat fazën e parë?
E njoh mjaftueshëm që të përgatisë skuadrën time për këtë takim, që Bylisi të luajë bukur. Ky është synimi im që kur kam ardhur në Ballsh. Eksperiencën time dua ta vë në shërbim të Bylisit dhe futbollit shqiptar që të luajmë futboll argëtues. Teuta është një nga ekipet më të mira dhe unë dua që të luajmë bukur dhe të marrim rezultat pozitiv.

Ju kënaq pika në Durrës?
Në çdo ndeshje luajmë për të fituar. Nuk kemi pasur këtë sezon ndonjë kundërshtar që na ka dominuar. Kudo kemi luajtur si të barabartë apo më mirë. Në futboll duhet edhe fati, pa ndikuar faktorë të tjerë.
APOLONIA BYLIS
Skuadra ka pësuar ndryshime, si e shihni tashmë Bylisin e 2021-shit?
Çdo lojtar që ikën apo vjen e vlerësoj për kontributin që jep, siç bëhet fjalë për Muratajn apo të tjerët. Por edhe ata që vijnë i mirëpresim. Jemi ekip që luajmë në grup, të gjithë për një qëllim. Presidenti ka nisur punën që pa u mbyllur pjesa e parë dhe po shikojmë lojtarë. Bashkë me stafin kam besim se do të bëjmë një ekip edhe më të mirë. E vështirë të gjesh lojtar tani, por lamë besim se do t’ia dalim.

Çfarë do të bëjë Bylisi që të dalë nga kjo situatë, pasi vjet ishte pranë Europës?
Do luftojmë do bëjmë futboll të bukur në çdo fushë dhe sigurisht që do të evidentojmë edhe talente. Nuk është pak që Bylisi shet lojtarë. Pastaj projekti i presidentit me mua duket në rrugë të mbarë sepse është një klub që ka të gjitha strukturat e ngritura dhe që premton për të ardhmen si klub europian.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"