E njëjta skuadër, dy tablo të ndryshme. Bylisi, i dënuar të fitojë ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 22:06

E njëjta skuadër, dy tablo të ndryshme. Bylisi, i dënuar të fitojë ndaj Tiranës

Bylisi tashmë është i fokusuar te sfida e radhës me Tiranën, të cilën do ta zhvillojë ditën e premte, në orën 14:00, në “Adush Muça”. Ballshiotët do të kërkojnë 3 pikët në këtë sfidë delikate që luajnë në fushën e tyre, ndërsa duhet theksuar se trajneri Dovedan në këtë sfidë do ta ketë skuadrën më të plotë. Bylisi ka hasur probleme në takimet brenda dhe jashtë fushe, ndërsa duket se kanë ndikuar edhe lëvizjet e shpeshta në formacion.

bylis laci

Dëmtimet dhe dënimet që ka marrë Bylisi, natyrisht që kanë ndikuar negativisht, duke i prishur jo pak punë edhe stafit. Të paktën një gjë e tillë u pa edhe në Gjirokastër. Me Goxhën që sakrifikoi duke luajtur me kokën e fashuar, me Bicajn që kishte gjendje gripale, pa Ndrecën, për të cilin stafi mjekësor ka menduar që të jetë jashtë 20-shes edhe në këtë sfidë, apo dhe Ujkën, ballshiotët janë detyruar që të bëjnë lëvizje në 11-she dhe të improvizojnë një formacion ndryshe në Gjirokastër që sërish nuk i çoi te tri pikët.

Bylis-Luftëtari

Edhe vetë trajneri Dovedan e vuri në dukje një gjë të tillë pas sfidës.

TIRANA – Java anti-Tirana ka nisur me një analizë dhe stafi e presidenca kanë kërkuar kthesën e menjëhershme, duke qenë se tashmë skuadra ndihet e rrezikuar edhe nga zona “play-out”. Fitorja e Vllaznisë ka bërë që në Ballsh të shtrëngojnë dhëmbët dhe tashmë të nisin të bëjnë llogaritë, pasi nga Europa është në zonën e mbijetesës. Bylisi ka një kalendar të vështirë, pasi veç Tiranës luan në Ballsh sërish në ndeshjen e parë të fazës së katërt me Teutën, e më pas shkon në Shkodër. Janë tri sfida delikate, ndaj edhe në Ballsh tashmë kanë filluar që të bëjnë llogari.

Tirana-Laci

SITUATA – Bylisi do të ketë sërish mungesa. Në ndeshjen ndaj Tiranës do të mungojë një nga titullarët e javës së fundit, mbrojtësi i qendrës, Stivian Janku që ka plotësuar katër kartonët e verdhë, por do të rikthehet Serxhio Ujka. Ndërkohë, nisur edhe nga vendimi që ka marrë FSHF, që ndeshjet të luhen pa tifozë, ka kushtëzuar ballshiotët, aq më tepër që këtë fundjavë kanë një sfidë mjaft të rëndësishme, si ajo me Tiranën dhe normalisht që gjithmonë në Ballsh tifozët kanë qenë faktor këtë sezon në ndeshjet e rëndësishme.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"