E ndryshuar totalisht, ja si pritet të luajë Lushnja në sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 22:32

E ndryshuar totalisht, ja si pritet të luajë Lushnja në sezonin e ri

Lushnjës i ka ikur një formacion i tërë referuar sezonit të kaluar, ndaj dhe trajnerit Gjyla i duhet të ndërtojë gjithçka nga e para. Nga edicioni i kaluar kanë mbetur vetëm Mone (i dëmtuar) Musaku dhe Alushi. Vështirë të skicohet formacioni, edhe pse trajneri Gjyla, siç pohon edhe vetë, disa gjëra i ka të qarta. Në skuadër kanë ardhur shumë lojtarë, vendës dhe të huaj, por dëmtimet e shumta e kanë penguar stabilizimin e formacionit. Titullarë pritet të jenë 3 lojtarët e ardhur nga Dinamo, Hysa, Hysi dhe Qoshku, por edhe ndonjë nga të huajt.

erzeni lushnja

DËMTIMET – “Disa pika mbi ‘I’ i kemi vënë, por dëmtimet gjatë ndeshjeve miqësore na kanë bërë të mos e konsolidojmë 100% skuadrën. Kjo vonesë e fillimit të kampionatit është e keqe, por për ne ka qëlluar e mirë. Javën e kaluar kemi punuar me 7 të dëmtuar anës pistës dhe kjo bëri që të mos luanim ndeshje kontrolli. Megjithatë, jemi duke parë modulin e të luajturit, vendosjen në fushë, emrat dhe pozicionet. Nuk e kemi mbaruar akoma”, ka deklaruar trajneri Gjyla enkas për “Panorama Sport”.

DY JAVË VENDIMTARE – Tekniku i lushnjarëve shpjegon edhe arsyen pse formacioni nuk është gati. “Nëse kemi luajtur një miqësore me një 11-she, na ka ndodhur që të na dëmtohen dy lojtarë dhe i kemi zëvendësuar me dy të tjerë. Në miqësoren tjetër na ka ndodhur e njëjta gjë, derisa kemi arritur në 6-7 dëmtime. Tani shumica janë rikuperuar dhe këto dy javë do të vendosim për formacionin. Kemi diskutuar me kolegët dhe po shohim, këto dy javë do të jenë determinante. Për mua nuk ka rëndësi moduli. Në skuadër kemi futbollistë të mirë, për një pozicion mund të kemi dy të barabartë, por ata nuk mund të luajnë të dy”, është shprehur Gjyla.

LS

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"