“E ndëshkoj unë Vllazninë, nuk na tremb”, sulmuesi i Apolonisë: Kërkojmë fitoren në çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 23:33

“E ndëshkoj unë Vllazninë, nuk na tremb”, sulmuesi i Apolonisë: Kërkojmë fitoren në çdo ndeshje

Fitorja ndaj Turbinës në Kupë ka rritur moralin tek ekipi fierak. Me një f ormacion të përzgjedhur titullarësh, skuadra e Xhovani Kolelës e ka kaluar lehtë Turbinën dhe tani është përqendruar totalisht te starti i kampionatit, ku do të masë forcat me Vllazninë në transfertën e Shkodrës këtë të mërkurë. Të dyja ekipet vijnë të karikuara pas fitoreve në Kupë. Shkodranët shihen të favorizuar nga faktori fushë, ndërsa fierakët shfaqen me më shumë dëshirë, pasi lojtarët e rinj të Apolonisë luajnë për herë të parë në Superiore dhe duan të lënë gjurmët në këtë kompeticion. Sulmuesi kryesor i skuadrës, Mario Gjata, tashmë ka më shumë partnerë, por edhe rivalitet në vijën e parë, pasi lojtarë sulmi të mirëfilltë apo me tipare ofensive janë edhe Artur, Mihana, Haxhiu, Ejoh, Jeboah, M.Sota etj. Gjithsesi, numri 9 i Apolonisë ndihet mirë në këtë marrëdhënie brenda grupit, duke u shprehur se konkurrenca rrit cilësinë e skuadrës.

Mario Gjata Apolonia
“Normal që një ekipi në Superligë i duhen më shumë alternativa dhe mundësi përzgjedhjeje. Kemi krijuar një grup të fortë dhe besoj se do ta përfaqësojmë ashtu siç duhet Apoloninë këtë sezon”, – thotë fillimisht sulmuesi për “Panorama Sport”. Gjata ka qenë goleadori kryesor i Apolonisë në edicionin e kaluar. Edhe këtë sezon ai shënoi në ndeshjen e kupës, ndonëse me penallti. Sulmuesi premton shumë gola të tjerë për skuadrën e tij, duke e nisur që nga ndeshja e radhës me shkodranët. “Kupën e kemi lënë pas dhe tani po mendojmë vetëm për Vllazninë, një skuadër shumë e fortë dhe me ambicie këtë kampionat. Ne jemi një ekip i ri, pa përvojë në Superligë, por me shumë dëshirë dhe motivim për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar fitoren në çdo ndeshje. Vllaznia gëzon respekt absolut nga ana jonë, e vlerësojmë si një nga ekipet më të mira, por nuk i trembemi dhe jemi gati të përballemi me ta. Golat? Detyra e çdo sulmuesi është të shënojë. Unë do të përpiqem fort në çdo ndeshje dhe premtoj të tjerë gola për skuadrën time, pse jo duke nisur që nga Vllaznia”, – përfundon sulmuesi fierak, Mario Gjata.

HISTORIA
Apolonia-Vllaznia 1-3, moment nga loja

Tradicionalisht Vllaznia ka qenë një kundërshtar shumë i vështirë për Apoloninë. Në 15 ndeshjet e fundit në të dyja kompeticionet, fierakët kanë fituar vetëm një herë, 3 ndeshje janë ndarë në barazim dhe 11 të tjerat janë triumfuar nga kuqeblutë, me golavarazhin 22-8, po për shkodranët. Triumfi i vetëm i fierakëve në 15 përballjet e fundit daton më 25 prill 2015, kur Apolonia fitonte 2-0 në Fier, me gola të Dimos dhe Ribajt. Ndërsa fitorja e fundit e shkodranëve është regjistruar 5 vjet më parë, më 4 nëntor 2015, kur Vllaznia fitonte 2-1 në kupë, me gola të shënuar nga Kalaja dhe Santiago Martinez, ndërsa për fierakët nga Nako.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"