“E ndëshkoj sërish Laçin”, mesfushori Limaj: Ja kur e merr Kukësi kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 20:45

“E ndëshkoj sërish Laçin”, mesfushori Limaj: Ja kur e merr Kukësi kreun

Iu bashkua i fundit ekipit postpandemisë, e megjithatë në më pak se dy javë e ka kapur ritmin. Flasim për Vesel Limajn, i cili u bllokua në Gjermani pas shpërthimit të Koronavirusit. Mesfushori pritet që të marrë minuta përballë Laçit, kundërshtar që e ka gjunjëzuar me atë supergol në të 87- ën minutë.

limaj

Ajo në fakt është edhe e fundit fitore e verilindorëve në këtë transfertë, ndaj edhe 23-vjeçari beson se mund t’i ndëshkojë sërish. Me gjithë respektin që ka për ish-trajnerin Armando Cungu dhe ish-drejtorin Naim Halili, shfaqet i bindur për trepikëshin. Nuk kishte si të mos ndalej te gara e titullit, e cila tashmë është rihapur.

Me bindje e pohon se Kukësi do të bëjë përmbysjen e madhe, madje e ka edhe gati “skenarin”. Pret një tjetër ndalesë të bardhebluve dhe parashikon se kreun do ta marrin në përballjen direkte. Këto edhe të tjera, lojtari me nënshtetësi gjermane i thotë në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Kukësi tani është -6 nga Tirana. A janë shtuar shpresat për përmbysjen e madhe?

E kemi nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin. Postpandemisë, rezultatet janë super. Arritëm të merrnim katër fitore radhazi, tri në kampionat dhe një fitore në Kupë. Tashmë presim të vazhdojmë këtë rrugë të nisur e ta çojmë deri në fund. Objektivi ynë është ndeshja e radhës, vetëm atje jemi përqendruar. Ndërkohë që, presim ende rritje të gjendjes së ekipit dhe natyrisht fitore.

Dhe ndeshja e radhës luhet në Laç, sa vendimtare është?

E thashë, me Laçin është  ndeshje e radhës për ne. Nuk e shoh si vendimtare. Mendoj se është e rëndësishme, por sipas meje nuk përcakton përfundimisht kampionatin.

Fitoren e fundit në Laç e keni nga sezoni i kaluar dhe ishit pikërisht ju “heroi” me atë supergol 3 minuta para fundit. A mund të përsëritet historia?

Goli i shënuar në Laç vitin e kaluar ishte një prej golave më të mirë që kam shënuar në karrierën time, po ashtu me shumë vlerë. Në fund të fundit morëm tri pikët. Shpresoj të përsëritet, por ndeshja nga ndeshja ndryshon dhe në këtë kuadër mendoj për suksesin e ekipit pa marrë parasysh se kush e bën golin.

Në Laç do të gjeni ish-trajnerin Armando Cungu dhe ish-drejtorin Naim Halili. Keni diçka për t’u thënë?

Kam shumë respekt për të dy. Jashtë fushe jemi miq e shokë, brenda në fushë kundërshtarë. Kemi objektiva madhorë dhe si profesionistë do tentojmë deri në sekondën e fundit t’i realizojmë ato.

Kur mendoni se mund të vendoset kampionati?

Kampionati mund të vendoset në ndeshjet e ardhshme. Ne na favorizon kalendari, por Tirana ka përparësinë e pikëve. Gjithashtu një përcaktues i madh mendoj do të jetë ndeshja direkte Kukësi-Tirana.

Pse besoni se mund ta kaloni Tiranën?

Për këtë mund të flasim shumë. Së pari, kam besim sepse kemi ekipin më cilësor në kampionat dhe e kemi dëshmuar gjatë sezonit, që mund të fitojmë shumë ndeshje radhazi. Së dyti, Kukësi ka udhëhequr kampionatin për shumë javë, por nuk na priu fati, ndërkohë që në disa momente mund të kishim bërë më mirë dhe t’i kishim menaxhuar ndryshe disa situata.

Gjithsesi, sërish jemi të kompletuar dhe besimplotë se do t’ia dalim. Çdo ekip ka momente ngërçi dhe ne fatmirësisht e kaluam atë situatë. Tashmë jemi në formë mjaft të mirë, kemi vullnet dhe besim se së bashku, të gjithë si grup mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Çfarë ju tremb më tepër?

Sa i përket fushës, nuk më tremb asgjë, por shkëputja e kësaj periudhe na bën t’u frikësohemi pak dëmtimeve, që kanë qenë më të shpeshta pas rikthimit të futbollit. Koha jo e plotë për përgatitje dhe e gjatë e pushimit janë indikatorët kryesorë në çështjet e dëmtimeve. Megjithatë, unë kam shumë besim te drejtuesit, që janë profesionistë të vërtetë dhe nga më të mirët. Me programet e implementuara kujdesemi në maksimum për të mos u dëmtuar.

Do qëndrojë Vesel Limaj te Kukësi edhe sezonin tjetër?

Po, do të vazhdoj të respektoj kontratën time me Kukësin. Kam edhe 1 vit, por nëse do ketë ndonjë ofertë serioze për transferimin tim jashtë, do i negociojmë mundësitë së bashku me drejtuesit.

Nuk keni as dy javë stërvitje me grupin dhe e keni kapur direkt ritmin. Por kur do ta shohim Limajn si titullar?

Pas rikthimit nga Gjermania nuk isha në 100% për të ndihmuar ekipin si titullar. Jam stërvitur individualisht, por stërvitja me grupin ka dallim dhe kisha vështirësi në javën e parë, por tashmë gradualisht jam futur në ritëm. Normalisht më duhet dhe pak kohë, por nuk e shoh më si problem këtë pjesë pasi ne njihemi mjaft mirë me bashkëlojtarët dhe e kam më të lehtë të luaj nga fillimi.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"