“E mundim Tiranën”, Krasniqi: Ja e vërteta me ofertat në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 22:57

“E mundim Tiranën”, Krasniqi: Ja e vërteta me ofertat në merkato

Skënderbeu duket se është destinacioni i Blerim Krasniqit. Të paktën deri në fund të sezonit. 

blerim krasniqi

Ka qenë vetë futbollisti, i cili ka treguar se për momentin e sheh veten të përqendruar vetëm te kampionati që është duke u luajtur në Kategorinë Superiore, pa menduar shumë rreth zërave të merkatos që vijnë çdo ditë. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, Krasniqi tregon se ekipi është duke bërë mirë deri diku pas riformatimit që po i bëhet prej dy sezonesh, ndërsa kërkon përqendrimin maksimal për pjesën e mbetur, pasi sipas tij ka potencialin për të synuar vendet e sipërme të renditjes.

Krasniqi, zërat e merkatos po bëhen të fortë edhe për ju. A ka pasur interesime mes të cilave dhe Tirana për të marrë shërbimet tuaja? 

Të them të drejtën, unë jam në një kontratë me Skënderbeun dhe për momentin jam, duke menduar vetëm për të dhënë maksimumin tim në fushë me këtë ekip. Normalisht që zërat në merkato gjithmonë janë prezente dhe të gjithëve do u pëlqente një aventurë jashtë. Por nuk dua të komentoj në lidhje me këtë, pasi është klubi ai që e di më mirë se çfarë politikash është duke ndjekur.

krasniqi muzaka

Përtej kësaj, si ndihet Krasniqi te Skënderbeu? 

Pa dyshim që mund të them fjalët më të mira. Jam në një ekip ku gjithmonë është e rëndësishme të japësh maksimumin dhe kërkohet gjithmonë maksimumi. Ndërsa nga ana tjetër, edhe ambienti në të cilin punon, të lejon të jesh i qetë dhe të tregosh vlerat si futbollist.

Çfarë po ndodh me ekipin këtë sezon që humbet brenda dhe fiton jashtë?

Ndoshta kemi ende nevojë të rritemi si grup dhe të fitojmë më shumë eksperiencë. Për fatin tonë të mirë kemi një trajner si Ilir Daja, që çdo gjë na e bën më të thjeshtë dhe na motivon jashtë mase për të interpretuar një ndeshje, kudo qoftë ajo dhe kundër çdo ekipi që luajmë.

Këto dy javë pushim janë një plus për skuadrën? 

Sigurisht që po, janë plus pasi kemi kohën e nevojshme që të përgatisim si duhet ndeshjen e radhës dhe për më tepër të rikuperojmë lojtarët që mungonin ndeshjen e fundit. Do të jetë pozitive nëse Dita dhe Daja do të jenë të gatshëm për takimin e radhës, prandaj besoj se pushimi i kampionatit erdhi në momentin e duhur.

E vështirë ndaj Tiranës? 

Pa dyshim që po. Tirana është një klub që ka ambiciet e veta në këtë sezon dhe kërkon me çdo kusht që të jetë në vendet e para të renditjes. Edhe ne nga ana jonë jemi duke kërkuar të njëjtën gjë. Ndryshimi i trajnerit tek ata sjell një tjetër frymë dhe motivim, ndërsa ne vijmë nga një rezultat pozitiv dhe luajmë përballë tifozërisë sonë që do të jetë një karikim më shumë.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"