“E mundim Apoloninë edhe në 3 të mëngjesit”, ish-lojtari i Lushnjes ndez derbin: Do të fitojmë ne në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2020 | 17:35

“E mundim Apoloninë edhe në 3 të mëngjesit”, ish-lojtari i Lushnjes ndez derbin: Do të fitojmë ne në Fier

Sa më shumë afron derbi, aq më shumë ndihen emocionet e tij. Ndeshja e 14 qershorit në “Loni Papuçiu” përcakton shumë gjëra për të dyja skuadrat sa i takon këtij sezoni, ndërsa polemikat në distancë nuk mungojnë. Alban Byzhyti, ish-futbollist i Lushnjës, i qëndron mendimit se verdhejeshilët kanë një skuadër më të fortë, në gjendje ta mundë Apoloninë edhe në orën 3 të mëngjesit, siç ka deklaruar disa javë më parë për gazetën.
Alban Byzhyti
“Po, nuk e kam harruar atë deklaratë dhe vazhdoj t’i qëndroj asaj që kam thënë para tre muajsh gati. Mendimi im është i njëjtë, Lushnja ka një skuadër të fortë dhe e mund Apoloninë edhe në 3 të mëngjesit. E them këtë gjithnjë në kuadrin sportiv dhe gjithnjë nëse do të kemi drejtësi dhe korrektësi në aspektin e gjykimit. Patjetër, është një gjë që do të duket dhe është pozitive që ndeshja transmetohet në televizor. Edhe unë u bëra gati ta ndiqja nga afër derbin, por fatkeqësisht ndeshjet u shtynë për arsye që dihen. Më vjen mirë që futbollistët e kaluan atë periudhë të vështirë të qëndrimit në shtëpi, po stërviten në fushë dhe kanë edhe dy javë kohë për derbin. Të presim dhe të shohim, e rëndësishme është që ndeshja do të zhvillohet”, pohon Byzhyti.
Lushnja-Apolonia

NË STADIUM – Ish-futbollisti lushnjar shprehet se do jetë në tribunën e “Loni Pupuçiut” të dielën e 14 qershorit. “Po, do jem në stadium, më kanë ftuar miqtë e mi fierakë. Më ka ftuar babai i ish-futbollistit të Apolonisë, Odise Roshi. Kam besimin se Lushnja do ta fitojë këtë ndeshje. Ata që do përzgjedhë profesor Gjyla, do ta kalojnë me sukses këtë 90-minutësh. Lushnja ka lojtarë me eksperiencë në të tria repartet, i njoh shumë mirë, sepse kam luajtur me ta. Skuadra ka përvojë për ndeshje të tilla dhe ky është element që ndikon pozitivisht. Lojtari me eksperiencë është më afër rezultatit. S’diskutohet që derbi ka ngarkesë dhe kujdesi duhet të jetë i madh. Kundërshtari ka skuadër me djem të rinj, me cilësi, por besoj se Lushnja do të dijë ta marrë rezultatin në këtë ndeshje. Kam dëshirë të fitojë Lushnja dhe jam përgatitur t’i qeras shokët, me të cilët kam luajtur futboll”, përfundon Byzhyti.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"