“E mposhtim Kukësin”, mbrojtësi i Vllaznisë: Marrim tri fitore dhe ia lëmë “play out”-in… Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 13:54

“E mposhtim Kukësin”, mbrojtësi i Vllaznisë: Marrim tri fitore dhe ia lëmë “play out”-in… Partizanit

Dajan Shehi nuk dorëzohet për mbijetesën. Edhe pse Vllaznia është skuadra më e rrezikuar për të luajtur ndeshjen e “play out”-it, mbrojtësi mendon se me 3 fitore deri në finish mund t’ia lënë edhe Partizanit vendin e 8- të. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” elbasanasi e sheh ndeshjen me Kukësin si një mundësi për të treguar që janë një “kockë e fortë”. Nuk kishte si të mos fliste edhe për të ardhmen. E pranon që i ka mbaruar kontrata, por lë të hapur mundësinë e rinovimit.

Vllaznia-Teuta

Dajan, si është gjendja e skuadrës në këto momente?

Normalisht, situata nuk është më e mira. Vijmë pas disa rezultateve jo shumë të mira në javët e fundit, por po mundohemi te stërvitemi fort dhe të jemi të përqendruar te ndeshja e fundit që kanë mbetur.

Sa shanse ka Vllaznia që t’i largohet zonës “play out”?

Derisa matematika na mban në lojë, pse të mos kemi shanse kur janë edhe 9 pikë në lojë. Kemi një shpresë të vogël, por fillimisht duhet të marrin maksimumin në këto 3 ndeshje që kanë mbetur. Duhet të tregojmë që jemi një kockë e fortë për çdo ekip dhe që nuk e meritojmë vendin e 8-të.

Nesër prisni Kukësin, a do të ketë forcë kjo Vllazni që të shkojë te fitorja?

Me Kukësin kemi bërë në të vërtetë ndeshje të mira gjatë këtij sezoni, edhe pse i kemi provuar që të tria rezultatet. Dihet që kundërshtari ka një skuadër të mirë dhe do të jetë e vështirë, por ne do të japim maksimumin për ta fituar dhe për të qenë aty deri në fund.

Në 180 minutat e fundit luani në transfertë me Partizanin dhe e mbyllni me Flamurtarin e rënë, si ju duket kalendari?

Neve na duhen 9 pikë që të shmangim rrezikun, por mendoj që kemi kalendar më të vështirë sesa rivali ynë direkt, Bylisi. Nëse i marrim tri fitore, ndoshta mund të futet edhe Partizani në vallen e “play out”-it. Është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ne e kemi mundur edhe Partizanin, edhe Kukësin në ndeshje direkte, ndaj do të shpresojmë deri në fund.MOMENTI NE VLLAZNIA BYLIS

E kishit menduar që do të ishit në vend të 8-të, 3 javë para fundit?

Kurrë nuk e kisha menduar, që do të shkonim deri këtu. Kishim një ekip kompakt, që ishte shumë e vështirë të na shënoje. Por, futbolli qenka i paparashikueshëm, ndonëse edhe fatin e kemi pasur kundër.

Çfarë do të bënit ndryshe në këtë sezon?

Vllaznia ishte e ndërtuar këtë sezon për të qenë lart në renditje, por mendoj që kanë ndikuar të gjitha nga pak. Edhe ne futbollistët kemi fajin tonë, sepse jemi ne ata që luajmë dhe përgjegjësia më e madhe na bie neve. Po ta shikoni, kemi shumë probleme fizike, kur jemi kthyer në stërvitje mbas pandemisë. E diskutojmë gjithmonë me djemtë, që klubi duhet t’i kishte thyer rregullat dhe të na nxirrte sa më shpejt në stërvitje, siç kanë bërë edhe ekipet e tjera. Vetëm për këtë do të isha kthyer mbrapa në kohë.

Cila do të jetë e ardhmja e Shehit?

Shpresojmë që ta mbyllim mbarë e mirë këtë sezon me Vllazninë. Unë jam një lojtar i lirë për momentin dhe në fund të sezonit do të ulem me menaxherin tim dhe drejtuesit për të folur për të ardhmen time.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"