“E morëm pak lehtë, Maliqi hodhi dy topa në portë”, Gjyla: Lushnja dominoi, por u ndëshkuam nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 11:49

“E morëm pak lehtë, Maliqi hodhi dy topa në portë”, Gjyla: Lushnja dominoi, por u ndëshkuam nga…

Lushnja e nisi kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme. Në stadiumin “Skënderbeu” u mund pastër nga Maliqi debutues. Nga ekipi pritej shumë më tepër dhe këtë e pranon edhe vetë Ilir Gjyla, e megjithatë ai mundohet që të mos e bëjë dramë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku analizon me detaje atë që ngjau në këtë transfertë.

Ilir Gjyla Lushnja

“Nga Lushnja pritej më shumë, duke filluar nga unë i pari. Ne bëmë maksimumin, ndonëse ky nuk është maksimumi ynë. Por, në futboll ekziston ligji i pashkruar: Po nuk shënove, do pësosh. Aq më tepër që ne për 90 minuta kemi luajtur në portën e kundërshtarit.

Kemi dominuar në të gjitha aspektet, si ai fizik, teknik e taktik, por pikët i merr ai që bën sa më pak gabime. Kundërshtari hodhi dy herë topin në portë dhe shënoi. Me këtë nuk dua t’i ul vlerat kundërshtarit, madje dua ta uroj. Problem është që djemtë kanë luajtur mirë. Në momentin që prisnim të shënonim, kemi pësuar. Kundërshtari bëri dy gola, ne dy gabime. E para, pësuam dhe e dyta, nuk shënuam.

Kjo është tabloja e ndeshjes. Jo se nuk luajtëm. Ne luajtëm në 100% të ndeshjes dhe dominuam”, ka shpjeguar fillimisht trajneri i lushnjarëve. Gjyla e ka më se të qartë se ku duhet të punojë për ta kthyer Lushnjën te fitoret. “Ku duhet të punoj më shumë?

E para, të bëjmë sa më pak gabime dhe për këtë duhet të binden edhe futbollistët. Nuk mjafton vetëm loja. E dyta, jo se futbollistët nuk dhanë shpirtin në fushë, por e filluan pak lehtë. Ndoshta nga emri që kishin përballë. Por, ndonjëherë, futbolli nuk fitohet me emër.

Së treti, të korrigjojmë defektet që dolën në pah në sulm. Kemi problem me sulmuesit, edhe pse ndeshja e parë ishte. Do të mundohemi të riparojmë shënjestrën”, përfundoi numri një i pankinës verdhejeshile. Sakaq, ekipi dje nisi javën anti-Tërbun dhe mungesa e vetme është ajo e Ledion Xhymertit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"