“E mora vizën, do vij në Shqipëri”, shtohen forcat për Ahmatajn. Një mbrojtës bëhet gati për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 14:04

“E mora vizën, do vij në Shqipëri”, shtohen forcat për Ahmatajn. Një mbrojtës bëhet gati për Skënderbeun

Ndryshon situata për një nga dy futbollistët ganezë që janë federuar me Skënderbeun, por që ende nuk i janë bashkuar skuadrës korçare. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë, Jozef Ado Teteh dhe qendërmbrojtësin Agbodzie Abei. I pari ka pasur një dëmtim kronik (pubalgji), ndërsa i dyti ka qenë në pritje të pajisjes me vizë për të mbërritur në Shqipëri. Mirëpo, vonesa në dokumentacione ka bërë që mbrojtësi të vonojë prezantimin e tij me Skënderbeun. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë lojtari, i cili dje ka kontaktuar me “Panorama Sport”, duke shpjeguar edhe arsyet e vërteta të kësaj vonese. 20-vjeçari ka thënë se vonesa e dokumentacioneve të nevojshme si pasojë e pandemisë dhe punës së reduktuar të instancave, kanë sjellë shtyrjen e bashkimit të tij me Skënderbeun, ku ka firmosur për 4 vite.

Abei dhe Teteh

“Më në fund duket se gjithçka është gati edhe pse dokumentacioni i nevojshëm vonoi shumë. Sapo jam njoftuar nga ambasada përkatëse se viza ime është gati dhe me të marr pasaportën, do të nisem drejt Shqipërisë. Jam i lumtur që gjithçka mori fund dhe tani do të kem mundësi të bashkohem me ekipin e ri”, deklaroi Abei të hënën për gazetën. Ai pritet që të jetë një element i rëndësishëm për prapavijën e Skënderbeut, pasi në këtë sezon të pazakontë me një kalendar që pritet të shumë i ngjeshur, trajneri Ahmataj dhe Skënderbeu do të kenë nevojë për një numër të madh lojtarësh. Me afrimin e qendërmbrojtësit ganez, në këtë mënyrë korçarët dublojnë çdo pozicion në prapavijë.

abei

BIND SULMI – Nëse një sezon më parë në repartin e sulmit Skënderbeu haste vështirësi si pasojë e mungesës së elementëve cilësor, duket se tani po ndodh e kundërta. Nga sa është parë në të gjitha testet miqësore të zhvilluara nga Skënderbeu në këtë fazë përgatitore reparti i sulmit është ai që ka edhe konkurrencën më të madhe. Në tri pozicionet e sulmit Ahmataj ka të gatshëm 6 futbollistë me karakteristika dhe cilësi të njëjta, e thënë ndryshe nga dy për secilin pozicion.

Kjo ka sjellë “probleme” luksi për sa i përket ndërtimit të formacionit nga ana e trajnerit bardhekuq. Duke filluar me krahun e majtë të sulmit, ku Armah dhe Tereziu janë në kërkim të një pozicioni si titullar në sezonin e ri. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krahun e djathtë. Berisha është duke kaluar një formë të mirë, por nuk duhet lënë pas edhe cilësia e Çelës, i ardhur nga Luftëtari dhe që premton siguri për të ardhmen. Ndërsa në majën e sulmit, rritja e Pusit i ka hequr fanellën e titullarit, Mensah, që duket se do të luftojnë gjatë për pozicionin e qendërsulmuesit.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"