“E merituam ndaj Partizanit, kemi grup me potencial të madh”, Aleksi, i bindur: Nuk ndalemi as në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 13:08

“E merituam ndaj Partizanit, kemi grup me potencial të madh”, Aleksi, i bindur: Nuk ndalemi as në Shkodër

Mesfushori Albano Aleksi është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Teutës, teksa ky sezon është i treti radhazi që luan me fanellën e “djemve të detit”. Pas fitores 1-0 ndaj Partizanit në “Elbasan Arena”, kampionët në fuqi luajnë në transfertë ndaj Vllaznisë, pikërisht të shtunën në orën 19:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Aleksi flet për sfidën me Vllazninë, atmosferën në ekip dhe besimin që ka te ky grup lojtarësh për të fituar sërish.

ALBANO ALEKSI 1

Albano, tri pikë në start dhe mbi të gjitha ndaj një ekipi si Partizani…

E dinim që do të ishte e vështirë, por nëse pretendon të jesh në nivele të larta duhet të kesh dëshirë të matësh forcat me më të mirët. Ishte një sfidë e bukur përpara tifozëve, të cilët i dhanë më shumë bukuri suksesit.

Mendoni se ishte një fitore me meritë?

Po, mendoj se ndeshjen e kishim përgatitur shumë mirë, por në fund është fusha ajo që jep përgjigje. I dinim edhe pikat e tyre të dobëta dhe u munduam t’i shfrytëzonim. Këtë e tregoi rezultati dhe fituesi nuk gjykohet. E merituam të dilnim me tri pikë nga fusha.

E ka kjo Teutë potencialin për të vazhduar si në sezonin e kaluar?

Kjo do të varet nga shumë faktorë. Është pak herët për të folur, por potenciali i grupit që kemi është i jashtëzakonshëm. Dikush mendon se mund të habisim akoma, ndërsa të tjerë mund të mendojnë të kundërtën. Megjithatë, duhet të punojmë fort për të qenë sërish në majë. Kohë për bilance kemi plot, tani thjesht duhet t’i marrim ndeshjet sipas radhës.

E shtuna ju rezervon një tjetër përballje të fortë, këtë herë ndaj Vllaznisë në Shkodër. Si e shihni?

Ndaj Vllaznisë duhet të japim maksimumin duke ditur që përballë kemi një skuadër që ka si synim titullin. Klima në grup është shumë pozitive dhe jemi të karikuar për të bërë mirë në këtë ndeshje. Ky do të jetë një muaj i mbushur me impenjime të rëndësishme dhe kryesore është që të jemi gati të gjithë për të marrë maksimumin.

Për ju është sezoni i tretë që luani me Teutën dhe tashmë që keni fituar gjithçka në Durrës, çfarë mund të bëjë më shumë ky ekip?

Për mua Teuta është ekipi me identitetin më të fortë. Ne kemi marrë lojtarë të mirë për ta forcuar edhe më shumë skuadrën këtë sezon. Kemi futbollistë të rinj, që janë rritur shumë me aktivizimin te Teuta. Përvoja e vitit të kaluar është e dobishme. Rritja e besimit dhe ruajtja në një masë të madhe e grupit na bën që të shikojmë sërish për vendet e para. E nisëm me Superkupën dhe tani duhet të bëjmë mirë në kampionat.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"