“E merituam”, Asion Daja: U ngjitëm pa aleatë, karrierën e mbyll te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2023 | 11:27

“E merituam”, Asion Daja: U ngjitëm pa aleatë, karrierën e mbyll te Dinamo

Dinamo i mbylli llogaritë me ngjitjen që para dy javësh. Tani ka mbetur edhe një çështje e hapur në Kategorinë e Parë: titulli kampion. E megjithatë, kjo nuk varet vetëm më nga blutë… Dashur pa dashur fokusi është hedhur te sezoni i ardhshëm, me shpresën që të jenë ndryshe nga 2021-2022-shi. Këtë e pret edhe Asion Daja, një nga titullarët e padiskutueshëm të këtij kampionati. I ka luajtur të 24-ta ndeshjet, shumicën e tyre me shiritin e kapitenit në krah. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori ndihet më në fund i çliruar.

Asion-Daja1-

ÇLIRIMI – Tregon se kanë sakrifikuar jo pak gjatë këtij rrugëtimi, por thekson se tani e rëndësishme është ajo që vjen. “Jemi të kënaqur që kemi realizuar objektivin primar, atë të ngjitjes në Superiore. Ishte shumë e rëndësishme që të ktheheshim në elitë dhe ia arritëm. Kishte jo pak vështirësi, pasi i tillë është edhe kampionati i Kategorisë së Parë. Për mendimin tim, sezoni i Dinamos ishte i nivelit mesatar, kishim mundësi të bënim më mirë dhe të mos rrezikonim, siç ndodhi javët e fundit. E nisëm mirë sezonin, duke mbajtur kryesimin, por pastaj nuk mundëm ta ruanim diferencën që kishim dhe situata u komplikua. Sakrificat? Ia vlejtën pa dyshim, përderisa Dinamo e ka siguruar ngjitjen në Superiore. Siç e thashë, duhej të ishim më mirë, të impononim diktatin tonë në kampionat dhe të mos bënim aq shumë gabime. Ndeshja jonë më e mirë ishte ajo në Vlorë, ku ekipi ishte shumë kompakt dhe mori 3 pikët në fushën e një rivali direkt, në një moment delikat mbi të gjitha”, tha fillimisht 33-vjeçari, që numëron 2035 minuta këtë vit në fushë.

PA ALEATË – Ka edhe një mesazh për rivalët. Thekson se e kanë merituar totalisht kalimin në elitë dhe kurrë nuk kanë pasur aleatë. “Ajo që mund të them me siguri është se Dinamo e meritoi plotësisht ngjitjen në Superiore. E kemi arritur objektivin pa aleatë dhe pa asnjë lloj ndihme tjetër. Kam parë që është përmendur shpesh gjykimi, sikur ka favorizuar Dinamon, por e them me bindje se po ta vendosësh në peshore arbitrimin e këtij kampionati, më shumë do të anojë kundër nesh. Nuk dua të merrem shumë me të tjerët në fakt, sepse nuk më takon, por dua të mbroj atë që Dinamo vërtet ka merituar në fushë. Nuk kemi bërë kampionatin që do të dëshironim, siç e thashë edhe më parë, por pikët i kemi marrë me djersë dhe me mund”, u shpreh mesfushori.

ELITA – Daja beson se klubi do të ndërtojë një skuadër të denjë për elitën e futbollit shqiptar, ndërsa kërkon që ta mbyllin me një fitore në Luz. “E rëndësishme është ajo që vjen përpara tani. Me siguri drejtuesit do të punojnë për një Dinamo të denjë për elitën e futbollit shqiptar. Patjetër që do të ketë përforcime, është normale në një situatë të tillë, kur skuadra vjen nga një kategori më poshtë. Shpresoj që klubi të bëjë zgjedhjet e duhura dhe ne ta përfaqësojmë Dinamon ashtu siç e meriton. Për këtë ka kohë dhe le të presim dhe të shohim. Kemi edhe një ndeshje nga ky kampionat dhe uroj ta mbyllim në mënyrën më të mirë”, shtoi numri 14 i bluve.

KONTRATA – Nuk kishte si të mos fliste edhe për veten dhe planin që ka. “Jam ende nën kontratë me Dinamon. Unë e kam thënë edhe më parë se dua ta mbyll karrierën me fanellën e saj, siç e kam nisur. Dhe më vjen shumë mirë që sezonin e ri do të jemi në Superiore”, ka përfunduar Asion Daja

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"