“E likuidojmë Bylisin”, mbrojtësi Hidri kërcënon kryesuesit e kampionatit: Apolonia më e fortën në këto 7 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2022 | 22:53

“E likuidojmë Bylisin”, mbrojtësi Hidri kërcënon kryesuesit e kampionatit: Apolonia më e fortën në këto 7 javë

Apoloninë e pret “malorja”. Pas humbjes në Lezhë, tashmë luan me kryesuesit. Përballë Bylisit do të jetë e vështirë, por misioni mbetet vetëm një: fitorja.

hidri

Të kushtëzuar nga vetë objektivat, fierakët nuk kanë në plan që të çedojnë dhe sidomos në “Loni Papuçiu”. Këtë e thotë edhe mbrojtësi Emiljano Hidri, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”.

Sa e penalizon Apoloninë humbja në Lezhë?

Nuk na penalizon dhe as na demoralizon. Ndeshjet janë aty dhe e kemi vetë në dorë objektivin sezonal. Së bashku do kalojmë çdo pengesë, duke filluar nga Bylisi. Marrja e pikëve të plota është obligim.

E shihni të kalueshme përballjen me kryesuesit, domethënë…

Po përgatitemi që ta kalojmë. Fatmirësisht grupi i lojtarëve është i plotë dhe ne të gjithë jemi dyfish të motivuar përballë Bylisit. Është e vështirë patjetër, pasi kundërshtari kryeson kampionatin dhe ky është shkaku që kemi shtuar dozën në stërvitje. Kemi hyrë në një fazë të nxehtë të garës, ndaj kemi mbledhur forcat.

Do të luhet në stadium dhe jo në aneks, a do t’ju ndihmojë kjo gjë?

Normale, pasi do të kemi në krah edhe tifozët. Me ta do e kemi më të lehtë.

Si do të jetë Apolonia në këto 7 ndeshje?

Prisni një Apoloni më të fortë dhe më kërkuese në javët e mbetura të kampionatit.

Si u transformua ky ekip në këtë fazë të dytë?

Kemi kuptuar idetë e trajnerit dhe këtu nisi gjithçka, por mbi të gjitha edhe morali që na jep pas çdo rezultati. Është psikolog perfekt. Loja jonë është rritur ndjeshëm dhe repartet po funksionojnë më mirë. Nëse deri dje elita ishte e parealizueshme për ne, sot mund të themi që është në dorën tonë.

HILMI SLAIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"