E lanë jashtë Europianit të bilardos, Kaçi: Do t’ju bëj hi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2016 | 11:05

E lanë jashtë Europianit të bilardos, Kaçi: Do t’ju bëj hi!

Nënkampioni i Europës, Klenti Kaçi, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku. I indinjuar për lënien jashtë Europianit, i riu Kaçi i është drejtuar numrit një të federatës se nëse e djeg nga ky event, do ta bëjë shkrumb e hi.

klenti kaci

Në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Kaçi i bën apel presidentit që të bëhet i arsyeshëm në zgjedhjet e bëra. “O njeri mosmirënjohës që je krenuar për kaq vjet me arritjet e mia, dua të të paralajmëroj se nëse ti nuk ndryshon mendim, do të vuash pasojat e mosveprimit tënd. Jo vetëm ti, por edhe ata që të rrethojnë. Nëse nuk i imagjinon për momentin, atëherë do të t’i bëj të qarta në datën 25.

klenti kaci

Shpresoj që të bëhesh i arsyeshëm dhe ta kuptosh se sa e rëndësishme është të mos jesh në kafaz e të shijosh gjërat bazë të jetës. Dikur ai seç humbi ose nga dëshira për të mos e pasur dhe e quajti të humbur. Për këtë u pendua deri në fund. Në fund veçse kur gjithçka kishte humbur. Ndoshta më ke nënvlerësuar, por të jesh i sigurt se nëse më djeg, do të të bëj shkrumb e hi”, ishte postimi i medalistit të argjendtë për moshat të kontinentit.

Bilardisti eshte imazhi i Europianit

Bilardisti eshte imazhi i Europianit

Ndërkohë, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Kaçi sqaron se presidenti Loku nuk e ka grumbulluar në Europian me pretendimin se nuk është i federuar. “Çështja në fjalë ka lidhje me kampionatin europian të të rinjve dhe presidenti i federatës nuk më lejon të marr pjesë. Thotë që nuk je i federuar në Federatën Shqiptare që nga nëntori i 2015-ës. Ndërkohë, unë kam marrë pjesë në kampionatin kombëtar që u zhvillua nga presidenti i Federatës Edmond Loku në 26-27 mars ku edhe u shpalla kampion.

Madje, dy vendet e para do të përfaqësonin Shqipërinë në kampionatin europian të të rriturve në Austri, por nuk më grumbulluan duke çuar dy lojtarë të vendeve të fundit. Dhe tani nuk do të më lejojë as te të rinjtë ku unë jam imazh i kopertinës së Europianit”, e mbylli deklaratën e tij nënkampioni i dyfishtë i Europës për grupmoshën U-17 dhe U-19. E shpallur më herët, kampionati europian do të organizohet në Tiranë.

 

Presidenti

“Kaçi nuk është anëtar i federatës sonë”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, i ka marrë me sportivitet akuzat e sportistit Klenti Kaçi. I kontaktuar në telefon nga gazeta, Loku sqaroi se bilardisti në fjalë është pjesë e një federate paralele. “Ai nuk është anëtar i Federatës Shqiptare të Bilardos, është pjesë e një federate tjetër paralele që prej muajit nëntor të 2015-ës. Ai ka garuar këtë vit në turneun ‘Open’ ku marrin pjesë të gjithë, sikurse mund të marrë edhe këtu në Euriopian pasi është e lirë.

edmond loku

Ju bëj me dije se nuk do të marrë pjesë në Europian. Ne e kemi përcaktuar ekipin, kemi tre muaj që kemi çuar emrat. Për mua nuk kanë rëndësi fare se çfarë thuhen, një bie, mijëra ngrihen. Gjithashtu, ju bëj me dije se ai i është drejtuar edhe presidentit të Federatës Europiane dhe përgjigjja e saj ka qenë se nuk përfshihemi në punët e brendshme të federatës tuaj. Në Federatën Shqiptare të Bilardos nuk guxon njeri të hyjë pa federuar. Të gjithë sportistët janë të licencuar me ekipe. Që ta dinë të gjithë, këtë sportist e kam marrë që 13 vjeç nga Laçi dhe e solla në Tiranë. Kam shpenzuar miliona dhe kur e solla në Tiranë u prisha me mjaft bilardistë të tjerë”, ishte reagimi i presidentit të Federatës, Edmond Loku.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"