E konfirmon presidenti Bardhi/ Çfarë do të ndodhë me Dinamos pasi blinduan grupin dhe zgjodhën trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 22:18

E konfirmon presidenti Bardhi/ Çfarë do të ndodhë me Dinamos pasi blinduan grupin dhe zgjodhën trajnerin

Nuk ka më dyshime, Dinamo do të kthehet në… identitet. Për sezonin e ri, klubi do t’i rikthehet stemës së tij tradicionale. Për këtë çështje të shumëdiskutuar, konfirmimi ka ardhur nga presidenti Ardian Bardhi.

bardhi-dinamo

“Po, do të rikthejmë stemën e vjetër të Dinamos”, ka thënë ai për gazetën, duke qetësuar edhe tifozët. Sezonin e fundit pati shumë pakënaqësi në momentin kur ndryshoi stema. Me komentet e tyre në rrjetet sociale, sportdashësit blu gjithmonë kanë kërkuar që Dinamos t’i kthehet stema e saj historike, ajo që përfaqëson legjendën e kësaj skuadre.

DINAMO-5-770x470

PLANI – Dinamoja e sezonit të ri ka marrë udhë tashmë, edhe pse nuk ka zbritur ende në fushë. Nga klubi kryeqytetas janë zgjidhur disa nga çështjet më të rëndësishme, duke nisur nga ajo e trajnerit të ri. Tani priten vetëm surprizat e merkatos, siç ka pohuar për gazetën edhe presidenti Ardian Bardhi. Më 10 korrik, data e grumbullimit të skuadrës, thuajse gjithçka do të jetë gati për të nisur përgatitjet e një sezoni, ku kryeqytetasit do të kërkojnë rikthimin në elitë.

DEDE – Pas shumë emrash të lakuar si kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin e Dinamos, përfundimisht është vendosur që këtë detyrë ta marrë Nevil Dede. E ka konfirmuar vetë presidenti Bardhi, ndërsa prezantimi i trajnerit kryeqytetas do të bëhet këto ditë. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë ndihmësit e trajnerit që sezonin e fundit drejtoi Erzenin, një nga dy ekipet që u ngjitën në Superiore. Me shumë gjasa, Nevil Dede do të ketë staf të ri te Dinamoja.

GRUPI – Blutë nuk kanë bërë asnjë afrim deri tani në merkaton e verës. Ata e kanë marrë me qetësi këtë çështje, sepse kanë ruajtur gati 80% të ekipit nga sezoni i kaluar. Dhe, në fakt, me emra si Bakaj, Imami, Mija, Lilaj, Demiri, Maliqi, Sidibe, Bardhi, Denison e ndonjë tjetër, nuk kanë pse të nxitohen në merkato.

Blutë po ashtu kanë edhe një grup të rinjsh të talentuar, që në Kategorinë e Parë pritet të kenë më shumë hapësirë. Gjithsesi, Dinamo është duke punuar edhe për përforcimet, që do të jenë të goditura, sipas asaj që ka lënë të nënkuptohet presidenti Bardhi. Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për afrimin e lojtarëve të rinj në moshë dhe me kualitet, që do të bëjnë diferencën. Përforcimet mund të vijnë edhe nga jashtë vendit, aktualisht po ndiqen të dyja pistat.

FAZA – Për një muaj skuadra e Dinamos do të zhvillojë një fazë përgatitore të ndarë në dy pjesë, dy javë në Pukë dhe dy javë në Pogradec. Gjatë kësaj kohe trajneri Nevil Dede do të ketë mundësinë t’i japë grupit të lojtarëve ngarkesën e duhur fizike për të përballuar sezonin, por edhe për të konsoliduar formacionin.

Me anë të miqësoreve që do të zhvillohen, lojtarët e rinj që do t’i bashkohen Dinamos do të kenë mundësi për t’u ingranuar me grupin. Në vëmendje të drejtuesve të Dinamos, Ardian Bardhi dhe Kristjan Gjidodaj, mbetet edhe çështja e shtëpisë së skuadrës. Ata janë duke punuar edhe në këtë drejtim, që skuadra të ketë një vend stabël për stërvitje.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"