E konfirmon gazetari i “Sky”-it: Higuain iu përgjërua Juves për të mos ikur

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 4, 2018 | 11:43

E konfirmon gazetari i “Sky”-it: Higuain iu përgjërua Juves për të mos ikur

Gonzalo Higuain nuk ishte i bindur për të braktisur “Zonjën e Vjetër” dhe iu desh një sforco ekonomike e Milanit për të bindur argjentinasin mbi projektin kuqezi. Mbi dhjetë milionë euro në sezon dhe një huazim faraonik ishin bazat e transferimit të tij në Milano, por jo gjithçka ka qenë e thjeshtë. Bomberi nuk ka dashur të largohet nga Torino, madje ka arritur deri aty sa t’u lutet drejtuesve bardhezinj për ta mbajtur.

pezzo_higuain_milan-juventus_28ottobre2017

Lajmin e ka konfirmuar gazetari i rrjetit “Sky”, Fabio Karesa. Në një emision sportiv, komentatori i njohur italian ka treguar: “Kam parë me sytë e mi një mesazh të Gonzalo Higuainit, i cili nuk kishte kurrfarë dëshirë për t’u larguar nga kampionët në fuqi të Italisë. Nga informacionet që kam, ai jo vetëm që ka refuzuar të largohet fillimisht, por u ka kërkuar drejtuesve të Juventusit që të mos e transferojnë.

higuain

Praktikisht, Gonzalo është larguar kundër vullnetit të tij. Te Milani ka gjetur një tjetër ambient dhe është i rrethuar nga besimi i të gjithëve. Cilësitë e tij janë të jashtëzakonshme, ndaj mendoj se mund t’i japë shumë skuadrës së Gatuzos”. Nga futbollisti nuk ka pasur ndonjë sqarim apo replikë, por sidoqoftë firmat në kontratë janë hedhur me konsensusin e të gjitha palëve, teksa “El Pipita” nga lartësia e përvojës së tij do të përgjigjet në fushë me fakte.






www.minuta90.com