E konfirmon Federata Botërore, Shqipëria organizon Botërorin 2019

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2017 | 10:51

E konfirmon Federata Botërore, Shqipëria organizon Botërorin 2019

Ekipi Kombëtar Shqiptar i Peshëngritjes arriti të merrte 2 medalje në lojërat e Kampionatit më të fundit Europian të Peshëngritjes për të rinjtë U-23, zhvilluar në qytetin e Durrësit, një javë më parë, duke zënë dy vende në podium. Romario Adila zuri vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion Europe dhe fitoi një medalje argjendi, ndërsa Arbër Çerçishi zuri vendin e tretë, duke fituar një medalje të bronztë.

Elez Gjoza

Gjatë një interviste marrë presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, mbi organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ai u shpreh: “Federata Botërore e Peshëngritjes, duke parë impenjimin tonë në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, si dhe besueshmërinë ndaj nesh, vendosi që ky kampionat të zhvillohej në Shqipëri.

Ne e vlerësuam maksimalisht, ku dhe impenjimi i lojtarëve tanë nderoi aktivitetin, sportin shqiptar dhe veten e tyre duke fituar 2 medalje, një vend të dytë dhe një të tretë. Këtij organizimi perfekt iu bashkëngjit dhe presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, dr. Tamas Ajan, duke organizuar këtë kampionat që pati një organizim nga më të mirët që janë zhvilluar ndonjëherë”.

QËLLIMI – Duke vijuar më tej në prononcimin e tij, presidenti Gjoza ka shpjeguar dhe qëllimet e këtij organizimi: “Bashkë me aktivitetin ne kemi promovuar dhe vlerat turistike të vendit tonë dhe duke u nisur nga ky qëllim, ne vendosëm që kampionati të zhvillohej në Durrës, ku të ftuarit që këtë vit erdhën si pjesëtarë të aktivitetit, vitin e ardhshëm do të vijnë si turistë, pasi janë mahnitur nga bukuritë e rralla natyrore të qytetit bregdetar”.

ANTIDOPINGU – Lidhur me luftën kundër dopingut, ai shprehet: “Nuk kemi pasur asnjë rast, me gjithë kontrollin e rreptë të Federatës botërore, por aq më tepër edhe në qendrën tonë të antidopingut po punohet për ndërgjegjësimin e lojtarëve”.

NDIHMESA E QEVERISË – Për sa i përket mbështetjes financiare dhe morale nga ana e qeverisë, kreu i peshëngritjes shqiptare shprehet: “Asnjëherë qeveria nuk na ka lënë në baltë. Gjithmonë federata jonë ka gjetur mbështetjen e saj, pavarësisht se nuk ka qenë në masën e nevojshme. Sidomos me këtë rast dua të falënderoj kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili kontribuoi me rikonstruksionin e pallatit të sportit dhe siguroi të gjithë bazën materiale”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"