E konfirmon dhe Nagelsman, Bajerni transferon portierin e rivalëve: Mision i kryer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2023 | 11:55

E konfirmon dhe Nagelsman, Bajerni transferon portierin e rivalëve: Mision i kryer

Bajern Mynih do ta nisë fazën e dytë të kampionatit gjerman dhe ruajtjen e kreun nga “RedBull Arena”, aty ku Lajpcigu do të jetë “muri” i parë për t’u thyer në rrugëtimin e tyre drejt titullit të 11- të radhazi në Bundesligë dhe të 33-in në historinë e tyre në këtë ligë.

NAGELSMAN

Një “ish” do të duhet të përballet me “Demat” nën drejtimin e Marko Rozit. Fjala është për Julian Nagelsman, i cili ka qenë padron i tyre në pozitën e trajnerit në sezonet 2019-2021.

Gjithsesi ai i ka idetë e qarta, aq më tepër kur çështja e nostalgjisë ka marrë trajtën e kujtimit të harruar, marrë në konsideratë situatën me repartin e kuadratit të lënë pa gardian me peshë pas lëndimit të kapitenit Nojer:

MARRËVESHJA ME ZOMERIN- ”Diskutimet janë në udhë të mbarë, shumë shpejt priten lajme zyrtare. Kam besim se drejtuesit do ta mbyllin dilemën e portës, pa nisur faza e dytë. I kemi studiuar të gjitha alternativat me bordin dhe kemi zgjedhur personazhin më të përshtatshëm për skemat tona dhe objektivat e klubit”, tha Julian.

Nga media helvete “Blick” bëhet e ditur se marrëveshja mes klubeve është arritur dhe gjigantët nga Mynihu do t’i paguajnë 8 milionë euro Myshengladbah, plus bonuset e ndryshme.

Zomer do të firmosë në orët në vijim kontratën deri në 2025-ën, çka lë të nënkuptohet se ai nuk do të jetë vetëm opsion deri në përfundimin e sezonit, pavarësisht rikthimit të Nojerit nga dëmtimi.

somer

LAJPCIG- ”Ata janë njëri nga pretendentët për të luftuar në fitimin e titullit. Në fushën e tyre e kanë dëshmuar se janë të hekurt dhe këtë gjë do ta prezantojnë edhe ndaj nesh. Intensiteti i lojës dhe presingu i lartë bëjnë pjesë në filozofinë vendëse, çka na pasqyron se çfarë na pret ditën e nesërme”.

FORMACIONI- ”Gjashtë lojtarë i kam të qartë ndaj rivalit në fjalë, pjesën tjetër do ta vendos disa orë përpara duelit. Gjithsesi nuk mund t’ju them ende asgjë më shumë”, pohoi shkurtimisht Nagelsman rreth kësaj situate.

SHANSET NË CHAMPIONS- ”Nevojiten ende shumë ndeshje deri në përplasjen me PSG-në. Ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe më pas të krijojmë ide më të qarta në lidhje me vazhdimësinë dhe gjendjen e grupit. Shanset janë 50 me 50 dhe kam përshtypjen se episode të caktuara do të japin verdiktin finale se cila prej dy ekipeve do të avancojë. Besoj se rivaliteti në Bundesligë mund të shërbejë si gurë pozitiv në reflektimin edhe gjatë Ligës së Kampioneve”, përfundoi gjermani.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"