E konfirmojnë shifrat, të kuqtë e Partizanit nuk dinë të mbrojnë avantazhin
Partizani ka treguar prej 19 javësh se nuk është një skuadër, që di ta ruajë avantazhin e krijuar, veçanërisht në ndeshjet e fundit.
Edhe ndaj Egnatias, të kuqtë arritën të shënonin të parët, por nuk mundën të shkonin te triumfi, edhe pse kishin mbetur vetëm 10 minuta nga fundi i ndeshjes. Në katër ndeshje të kuqtë kanë arritur të krijojnë avantazh, por nuk kanë mundur ta ruajnë. Skuadra e drejtuar nga Kolela një befasi të tillë e pësoi ndaj Erzenit me ndeshjen, që përfundoi me shifrat 3-3.
Ishte Erzeni, që shënoi i pari, por më pas të kuqtë e çuan rezultatin në 1-3, për t’u barazuar më pas në “grahmat” e fundit të ndeshjes, pas 90 minutash të çmendura në “Niko Dovana”.
Tri ndeshjet e tjera kanë ndodhur vetëm së fundmi. Fillimisht ishte Vllaznia, që përmbysi golin e Maget me rrjetat e Jonuzit dhe Çobës. Më pas, edhe Kastrioti arriti të barazojë të kuqtë me golin e Zogajt, pas penalltisë së shënuar nga Cara. Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe ndaj Egnatias, duke treguar brishtësinë e madhe të të kuqve në mbrojtjen e rezultatit.
PANORAMASPORT.AL
