E kërkon Reali dhe Zhoze Murinjo, Juvja do blindojë futbollistin titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 9:10

E kërkon Reali dhe Zhoze Murinjo, Juvja do blindojë futbollistin titullar

Huan Kuadrado po punon që të mund të kthehet në dispozicion të Juventusit për ndeshjen e kthimit kundër Portos, në Champions, më datë 9 mars. Por ndërkohë, për lojtarin universal të korsisë së djathtë të “Zonjës së Vjetër”, së shpejti pritet edhe një takim me drejtuesit e lartë të klubit, për të biseduar rinovimin e kontratës.

KUADRADO

Marrëveshja aktuale mes kolumbianit dhe bardhezinjve është e vlefshme deri më 30 qershor 2022, por në drejtim të tij kanë nisur që të vijnë oferta tunduese, sidomos nga Reali i Madridit dhe Barcelona në Spanjë, por edhe nga Mançester Junajtid dhe Totenhemi nga Anglia. Prandaj, detyra e drejtuesve bardhezinj është ajo për të blinduar sa më shpejt lojtarin që bën jo vetëm sulmuesin, por tashmë edhe mesfushorin dhe akoma më shumë mbrojtësin e djathtë.

Pirlo dhe Kuadrado

Nga ana e tij, edhe vetë Kuadrado nuk e ka fshehur se kërkon që ta mbyllë te Juventusi karrierën e tij dhe për këtë arsye, është gati që të ulet të bisedojë një kontratë të re. Amerikano-jugori, tashmë 32-vjeçar, fiton 5 milionë euro neto, përfshirë edhe bonuset. Dhe këtë pagë Nedved dhe Paratiçi ia kanë saktësuar menaxherit të Kuadrados se do t’i konfirmohet, me kontratën e re që pritet të jetë e vlefshme deri në vitin 2024.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"