E kërkon Apolonia dhe Lushnja, flet ish-trajneri i Partizanit: Nuk vendos pa bekimin e presidentit Demi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 14:39


E kërkon Apolonia dhe Lushnja, flet ish-trajneri i Partizanit: Nuk vendos pa bekimin e presidentit Demi!

Apolonia është shumë e përqendruar në zgjedhjen e trajnerit të ri. Presidenti Koço Kokëdhima po përpiqet që ekipi ta ketë sa më shpejt “timonierin” e ri. Janë disa emrat e lakuar si kandidatë për trajner të Apolonisë, ku mes tyre spikat edhe ish-sulmuesi elbasanas, Klevis Dalipi. Për “Panorama Sport”, trajneri Dalipi pohoi se ambicia e tij është drejtimi i skuadrave me traditë në futbollin shqiptar, ku përveç Apolonisë shërbimet e tij i kërkon edhe Lushnja, por ai kërkon të marrë edhe pak kohë për të vendosur se drejtimin e cilit ekip do të marrë, ku sezonin e fundit e mbylli si trajner i Partizani U-21.

dalipi klevis

Si ish-trajner i disa skuadrave në futbollin shqiptar, cili është plani i Klevis Dalipit për të drejtuar në sezonin e ri?

Drejtimi i skuadrave me traditë në futbollin shqiptar është ambicia ime kryesore. E dëshiroj shumë presionin e garës dhe njëkohësisht konkurrencën në kampionat. Lufta për arritjen e objektivit nga skuadra të jep vetvetiu mbështetje tjetër në objektivin personal dhe veçanërisht për t’u rikthyer sërish si trajner në elitë.

Emri juaj po lakohet në dy pankina të rëndësishme, tek Apolonia dhe Lushnja. Sa e dëshironi ju drejtimin e njërës prej dy skuadrave të njohura të futbollit shqiptar?

E vërtetë, dhe më vjen shumë mirë që dy skuadra me traditë në futbollin shqiptar dëshirojnë shërbimet e mia si trajner. Por ndihem edhe i vlerësuar duke ditur dhe njohur objektivat e klubeve respektive. Historia dhe lavdia e këtyre dy ekipeve është e padiskutueshme në futbollin shqiptar. Prandaj, ofertave të Apolonisë dhe Lushnjës u kam dhënë rëndësinë e duhur dhe në një moment të dytë do të mbaj një qëndrim përfundimtar.

Kur do ta merrni vendimin përfundimtar dhe sa shanse ka Apolonia?

Së pari, dua të theksoj se asnjë ekip nuk është i avantazhuar në përzgjedhjen time përfundimtare. Gjithashtu, në këtë moment merkatoje do të ketë edhe vonesa në vendimmarrje, pasi vendimi përfundimtar kërkon kohë. Besoj dhe uroj shumë që pas takimit në vazhdim me presidentin e Partizanit, Gaz Demi, të kemi një konkretizim.

Apolonia ka një ekip me moshë relativisht të re. A duhet ndërhyrë në merkato me blerjen e disa lojtarëve me eksperiencë?

E vërtetë që Apolonia ka një ekip me moshë relativisht të re. Por, të mos harrojmë se këta të rinj kanë vite që stërviten me njëri-tjetrin dhe kjo është pozitive për skuadrën e parë. Djemtë fierakë vit pas viti kanë fituar më shumë eksperiencë dhe kanë bërë shumë mirë në Kategorinë e Parë, dhe jo vetëm. Pa marrë drejtimin e skuadrës fierake, nuk mund të flas për merkaton e verës dhe afrimet e mundshme.

Mendoni se në sezonin e ri Kategoria e Parë do të jetë kampionati më i fortë që është zhvilluar ndonjëherë në këtë nivel?

Do të jetë një garë shumë e fortë, aq sa parashikoj se çdo javë e kampionatit do të jetë përcaktuese. Kategoria e Parë është rritur shumë, sidomos në vitet e fundit. Gjithashtu, duke parë skuadrat që marrin pjesë në inferiore, është e qartë se shumë skuadra do të luftojnë për dy vende të sigurta në Superiore.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL