E kërkojnë në Qipro, Laçi bllokon arratinë e radhës nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2017 | 11:27

E kërkojnë në Qipro, Laçi bllokon arratinë e radhës nga Superiorja

Qendërmbrojtësi që mbylli sezonin e shkuar me skuadrën e Laçit, Harallamb Qaqi, do të jetë i detyruar që të luajë edhe sezonin e ardhshëm me kurbinasit. Ditët e fundit ai ka pasur një takim me presidentin Pashk Laska dhe i ka kërkuar këtij të fundit dokumentacionin për ta lënë të lirë, por ky i fundit i ka bërë me dije futbollistit se ka edhe një tjetër vit kontratë dhe nuk mund të largohet.

Qaqi

Qaqi ka qenë një pikë e rëndësishme në formacionin e bardhezinjve në sezonin që sapo u mbyll, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe duket se është sërish në planet e drejtuesve për një tjetër sezon.

OFERTA

Burime të sigurta pranë klubit kurbinas kanë bërë me dije se shkak për kërkesën e dokumentacionit ka qenë një ofertë që Qaqi ka pasur javën e fundit nga një klub në Qipro. Dëshira e ish-futbollistit të Kombëtares Shpresa ka qenë të largohet, por një gjë e tillë është e pamundur. Klubi e ka bllokuar futbollistin, që tani është i detyruar të jetë sërish në Superiore.

MERKATO

Pas largimeve të shumta, drejtuesit e Laçit vazhdojnë të jenë në merkato për të afruar futbollistë të rinj. Trajneri Stavri Nica, që arriti të shpëtonte skuadrën nga rënia sezonin e shkuar, duket se ka marrë besimin e presidenti Laska për të vazhduar punën në krye të skuadrës. Por, për të ndërtuar një ekip i cili kërkon një vend komod në renditjen e elitës nevojitet merkato dhe klubi e di shumë mirë këtë, ndaj ka nisur që të lëvizje.

Laci tifozet

Moslejimi i largimit të Qaqit ka qenë një lëvizje e mirë, pasi ky i fundit ka mbajtur peshë në mbrojtjen e skuadrës. Por përforcime te kurbinasit në të ardhmen nevojiten në çdo repart dhe po punohet në këtë drejtim, kryesisht me futbollistë nga jashtë vendit. Kjo, pasi alternativa cilësore dhe sidomos në repartin e sulmit vendi ynë nuk i ofron

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"