E kërkojnë ekipe nga gjithë Europa, klubi zviceran në garë për Muçin. Sasraku i rrezikon vendin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 23:57

E kërkojnë ekipe nga gjithë Europa, klubi zviceran në garë për Muçin. Sasraku i rrezikon vendin

Ernest Muçi apo Derrik Sasraku? Duket se te Tirana po luftohet për një vend titullari. Nëse deri dje talenti Muçi e kishte vendin e sigurt, sot është Derrik Sasraku që prish planet e lojtarit të Shpresave. Në stërvitjen e djeshme, duket se Emanuel Egbo ravijëzoi formacionin jo vetëm për miqësoren me Kastriotin, por skuadrën që do të luajë në kampionat.

Sasraku

Dhe pas shumë takimesh titullar në Europë, Muçi dje e pa veten në krahun e rezervave. Egbo aktivizoi Sasrakun si titullar së bashku me Bekajn, Tolin, Hoxhallarin, Vangjelin, Ismajlgecin, Bathën, Giamfinë, Torasën, Kobinën dhe Dansonë. Po kështu, edhe numri katër i të huajve plotësohet dhe Sasraku nuk prish punë. Presidenti Refik Halili ka vënë bast publik që ky futbollist do të shënojë të paktën 15 gola, ashtu siç është i bindur që Muçi do të ngjitet në kuotën e 20 golave. Gjithsesi, këto janë prova gjenerale dhe mes Muçit e Sasrakut do të ndërrohet disa herë vendi në lojë.

Torasa dhe Muci

Ai që do të shënojë është mbreti i sulmit apo titullari i padiskutuar bardheblu. Te Tirana janë të bindur që sulmuesit e tyre do ta tejkalojnë Majkëll Ngonë. Dhe të thuash që deri sot mund të përfundojë Ernest Muçi, jo vetëm është paraqitur shumë mirë në Europë, por lista për ta blerë është e gjatë. pas kërkesave nga Jang Bojsi apo shumë skuadra të tjera europiane, Tirana ka pasur bisedime edhe me ekipin e Luzernës.

Kanë qenë disa menaxherë që e kanë kërkuar lojtarin të bashkohet me ekipin zviceran në janar. Është e sigurt që Ernest Muçi, e shumta në fund të sezonit, për të mos thënë që në janar lë Shqipërinë, për t’u transferuar në një skuadër të re, për t’i sjellë goxha të ardhura ekipit të Tiranës. Ernest Muçi ka firmosur deri në fund të 2022-shit për bardheblutë. Vetëm pak ditë më parë u firmos marrëveshja mes lojtarit dhe klubit bardheblu.

MUCI

Sezonin e shkuar golashënuesi i skuadrës ishte Majkëll Ngo që shënoi 13 gola dhe dha 15 asiste në kampionat. Ernesti vjet me pak minuta ka ditur të shënojë golat e tij, madje duke qenë golashënues në derbi, ashtu si Kordeiro në krahun tjetër. Në ndeshjet e Europës ka shkëlqyer. Nuk ka shënuar, por paraqitja në sfidën me serbët i ka çuar kuotat në 500-600 mijë euro për kartonin. Skuadrat që e duan janë disa. Ndoshta, në fund do të ketë një largim për një aventurë europiane.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"