“E kemi trashur shumë situatën në kampionat”, Klop: Çelsi? Po fola mund të më arrestojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2023 | 10:15

“E kemi trashur shumë situatën në kampionat”, Klop: Çelsi? Po fola mund të më arrestojnë

Liverpuli, por edhe Çelsi, ndajnë mes tyre vendin e 9/10, në renditjen e Premier Ligës, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, me vendin e katërt që është 10 pikë larg.Liverpool-manager-Juergen-Klopp-looks-dejected

Gjithsesi, blutë kanë bërë çmendurinë në këtë merkato janari duke shpenzuar 327 milionë euro për afrime të rëndësishme në skuadër si Mudrik, Badiashile, Madueke, Gusto (ky zbarkon në verë), Santos, Fofana, plus huazimin e Zhoao Feliks. Dhe pikërisht kjo listë e gjatë, jo vetëm emrash, por qindra miliona eurosh, ka tërbuar jo pak Jyrgen Klopin, i cili në konferencën e djeshme për shtyp, përpara ndeshjes së sotme në transfertë ndaj Uolvesit ka shfryrë: “Nuk dua të them asgjë për Çelsin pa pasur pranë avokatin tim, – startoi duke qeshur Klop. – ndryshe rrezikoj të më arrestojnë. Po tani realisht nuk arrij të kuptoj se si mund të jetë e mundur kjo gjë, edhe pse nuk jam unë ai që duhet të shpjegoj se si funksionojnë këto gjëra. Nuk arrij ndoshta unë me kapacitetin tim ta kuptoj këtë temë biznesi, por sigurisht që bëhet fjalë për shifra kolosale. Sido që të jetë, Çelsi ka blerë realisht futbollistë shumë të zotë, prandaj më duhet t’u bëj komplimentet e mia atyre”.

Edhe pse në këtë fjali të fundit kishte pak sinqeritet nga ana e trajnerit të Liverpulit, Klop shpreson te kthesa ndaj Uolvesit: “Jemi në një situatë shumë të shëmtuar, teksa në tri ndeshjet e fundit kemi marrë vetëm 1 pikë. Prandaj unë shpresoj që të dimë të reagojmë dhe të nisim të bëjmë gjërat siç duhet, pasi situata po trashet shumë dhe sa më tepër kalojnë ndeshjet, aq më e vështirë bëhet. Ne, ashtu si Uolvesi, jemi në një situatë tepër delikate, duke dalë jashtë objektivave tanë, prandaj do të jetë një sfidë që duhet kapur nga brirët”, përfundoi tekniku gjerman.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"