“E kam studiuar mirë Flamurtarin”, Gvozdenoviç “çliron” lojtarët para Vlorës: Ka presion, por nuk luaj për barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2023 | 9:30

“E kam studiuar mirë Flamurtarin”, Gvozdenoviç “çliron” lojtarët para Vlorës: Ka presion, por nuk luaj për barazim

Skënderbeu mbylli përgatitjet dhe është gati për të luajtur takimin më të rëndësishëm të sezonit. Pavarësisht rëndësisë dhe vështirësisë që mbart ky 90-minutësh, për Ivan Gvozdenoviçin është një nga pesë finalet e mbetura. Trajneri kërkon t’i japë Flamurtarit, të njëjtën vëmendje si katër të tjerat që janë në radhë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, serbi mundohet të shmangë ngarkesën psikologjike ndaj ekipit. E megjithatë, disa mesazhe i jep…

gvozdenovic

Luani me Flamurtarin nesër (sot). A është kjo ndeshja më e rëndësishme e sezonit?

Unë nuk jam kategorik këtu. Nuk mund të them që është më e vështira apo më e rëndësishmja e sezonit. Është pa diskutim një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi luajnë dy ekipe me objektiva madhorë dhe në vetvete është një derbi. Ama, është po aq e rëndësishme sa edhe 4 finalet pasardhëse të këtij kampionati.

Si shkon Skënderbeu në këtë takim?

Kemi punuar mjaft mirë këto ditë përgatitjesh, si në Korçë edhe tani në “Tropikal”. Ekipi ka qenë në dispozicion i gjithi dhe i gatshëm për të nisur këtë takim nga minuta e parë. Falë Zotit, nuk kemi asnjë problem apo shqetësim fizik për lojtarët dhe kjo na jep më shumë besim. Kemi punuar gjatë gjithë javës me përqendrim për të rregulluar ato gabime që kemi pasur në ndeshjen e kaluara dhe besoj se do të shkojë gjithçka mirë.

Sa e njihni kundërshtarin?

Mendoj se e njohim mjaftueshëm. Kemi punuar shumë, duke analizuar videot e ndeshjes së fundit ndaj Orikut. Ia njohim pikat e forta dhe ato jo të forta. Nuk mund të zbuloj më shumë, pasi preferoj t’i mbaj për vete detajet. Ne kemi informacion të bollshëm, sikundër dhe ata kanë për ne. Do të jetë një ndeshje e bukur që ia vlen të shikohet.

Ju jep komoditet vendi i parë?

Jo, unë mendoj se presioni është për të dyja ekipet i njëjtë. Kjo për vetë faktin, se objektivi është i njëjtë për të dyja skuadrat. Kërkojmë kalimin në elitë dhe për këtë nuk ka të bëjë shumë renditja, jemi në të parën dhe ata në të tretin. Besoj se kemi punuar mirë edhe në aspektin psikologjik, për të përballuar presionin dhe ngarkesën emocionale. Do të luajmë të bindur tek aftësitë tona.

Në Vlorë ju intereson edhe barazimi?

Unë nuk shkoj askund për barazimin, prandaj është e qartë që do të luaj vetëm për fitoren. Nuk e kam menduar kurrë që ekipi im të hyjë në fushë me mendjen te një tjetër rezultat. Normalisht nëse shohim renditjen, të dyja rezultate ne na bëjnë punë. Por e theksoj, ne do të udhëtojmë vetëm për pikët e plota.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"