“E kam mik Shkëmbin, por duam fitoren”, flet Duro: Futbollistët i kanë kuptuar idetë e mia, nuk dua lëvizje në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 11:04

“E kam mik Shkëmbin, por duam fitoren”, flet Duro: Futbollistët i kanë kuptuar idetë e mia, nuk dua lëvizje në janar

Kukësi ka vuajtur nga disa elemente thelbësore gjatë këtij kampionati, sidomos prej dëmtimeve të shumta, ardhjen e shumë futbollistëve në limitet e merkatos, mungesën e fushës dhe tifozëve, por përpos këtyre nënkampionët janë rikthyer fuqishëm, duke treguar një formë mjaft të mirë dhe paraqitje të shkëlqyera si ajo ndaj Tiranës. Kukësi tashmë kërkon vazhdimësinë ndaj Teutës për të marrë kreun pas humbjes së Partizanit. Përballja është jo vetëm në fushë, por edhe stol, ku nxënësi sfidon profesorin, Shkëmbi kundër trajnerit Duro. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, flet për sfidën ndaj bregdetarëve.shpetim duro

Çfarë prisni nga ndeshja me Teutën? Është momenti që Kukësi të bëjë një seri fitoresh deri në fund?

Ndeshja me Teutën është e rëndësishme, ashtu siç janë takimet e çdo jave, aq më tepër që Teuta ka treguar këtë kampionat, pavarësisht oshilacioneve, se është një skuadër shumë kompakte, sidomos në aspektin difensiv. Unë nuk bie nën presionin e fitoreve, kërkoj nga skuadra që të luajë mirë, ashtu siç luajti ndaj Tiranës, kur ishim të plotë.

Nxënësi kundër profesorit. E njihni më mirë ju Shkëmbin apo ai ju? Ai ka thënë që do të bëjë maksimumin t’ju mundë. Keni një mesazh për të?

Bledin patjetër që e njoh mirë, e kam pasur futbollist në disa skuadra, kam mendimin që ashtu siç ka qenë lider dhe me personalitet në fushë si lojtar, ashtu e shoh edhe tani si trajner. Nga brezi i ri i trajnerëve është figura më e plotë për të bërë një karrierë si trajner. Patjetër, si çdo trajner, edhe pse jemi shumë miq, kërkon të fitojë secili me skuadrën e vet.

Besoni se do ta merrni kreun brenda këtij viti?

Nuk më intereson shumë marrja e kreut në fund të vitit, rëndësi ka që të marrim kreun në fund të kampionatit. Natyrisht që është bukur ta marrim që tani, por synimet tona janë ato përfundimtare.

Ishte Kukësi më i mirë ndaj Tiranës apo mund të bëni edhe më mirë?

E kam theksuar që ishte një nga ndeshjet më të mira, por një element shumë i rëndësishëm për dy ndeshjet e fundit ishin stërvitjet e mira dhe rikthimet e lojtarëve, pasi ka pasur raste ku kemi pasur 4-5 mungesa.

Gjithmonë keni kërkuar më shumë nga lojtarë si Abazaj apo Gavazaj?

Abazaj e Gavazaj janë futbollistë cilësorë që kanë treguar vlera në kampionatin shqiptar. Mungesa e stërvitshmërisë dhe lojës ka ndikuar, por shikoj se kanë një përmirësim të kondicionit fizik dhe kur këta të jenë në gjendjen e tyre më të mirë, janë shumë të rëndësishëm.

Mund të themi tani që Kukësi ka marrë fizionominë e Duros?

U bë një periudhë 4-5-mujore, futbollistët i kanë kuptuar idetë dhe filozofinë time dhe sa më shumë të rrish me skuadrën i njeh mirë karakterin dhe nivelin e tyre të lojës. Janë djem mjaft të mirë, të cilët stërviten e sillen me mjaft seriozitet.shpetim duro

Ju shqetëson fakti që disa lojtarë janë larguar, si Kitanovski apo Kamara, dhe disa të tjerëve u përfundon kontrata në janar? Do të kërkoni përforcime?

Kamara është larguar shumë më parë, pasi nuk ka pasur hapësirat e duhura, por largimi i tij nuk përbën shqetësim. Kitanovskin do të doja që ta kisha edhe këto ndeshje të mbetura, pasi ka kontribut, ka luajtur në disa pozicione, pasi kemi pasur edhe mungesa. Gjithsesi, unë them që jemi të plotë, sepse në krahun e majtë kemi dy lojtarë mjaft të mirë në dispozicion, si Musta, i cili është një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit shqiptar.

Mbas dëmtimit ai po kap formën, ku ndeshjen me Tiranën ka bërë një ndeshje të jashtëzakonshme. Pa harruar që kemi dhe Kotobellin. Pra, me të dy jemi të kompletuar. Sa u përket kontratave, nuk ka mundësi që të ketë kontrata në skadencë në janar, pasi ato janë të paktën deri në fund të kampionatit. Kam parë disa emra në media, por unë e them që nuk dua fare lëvizje, maksimumi mund të ketë një ose dy lëvizje, pasi skuadra është e plotë në të gjitha repartet.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"