“E kalojmë Korabin”, Berberi paralajmëron fitoren me dibranët: Të mbledhim forcat, meritojmë finalen e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 0:15

“E kalojmë Korabin”, Berberi paralajmëron fitoren me dibranët: Të mbledhim forcat, meritojmë finalen e madhe

Apolonia është vetëm dy ndeshje larg elitës. Nëse kalon Korabin dhe më pas Egnatian, do të jenë ata ekipi i tretë që do të ngjitet në “Abissnet Superiore”. Misioni është i vështirë, por jo i pamundur. I këtij mendimi është edhe mesfushori Kevi Berberi, i cili e quan të kalueshme finales e radhës. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se e meritojnë ata që ta luajnë ndeshjen e fundit me rrogozhinasit.

berberi

“Jemi në kulmin e përgatitjeve dhe mendoj se deri të hënën do jemi 100% gati për të kaluar Korabin. Nëse veprojmë si me Tërbunin, do ia dalim edhe këtë herë. E meritojmë finalen e madhe dhe do bëjmë çmos që të jemi ne ata që të luajmë ne me Egnatian. Na është bërë ‘fiksim’ ngjitja dhe tani që i jemi afruar kaq shumë, nuk ka shkak që të stepemi. Do luhet në fushë asnjanëse dhe favorit logjikisht nuk ka, por le ta marrim shtruar.

Vërtet jemi ekip shtëpie, por edhe në transferta kemi bërë ndeshje të mira. Le të zbresim në ‘Niko Dovana’ me idenë e qartë për ta kapërcyer edhe këtë pengesë që kemi për misionin tonë. Vend për neglizhencë nuk ka, pasi dibranët bënë vërtet një sezon të mirë dhe jo më kot u renditën të tretët. Nëse tregohemi të vëmendshëm në të dyja fazat e lojës, fundi do të flasë për ne. Trajneri po punon jo vetëm fizikisht e taktikisht me ne, por edhe psikologjikisht. Nëse jemi të qetë, gjithçka do të bëhet më e thjeshtë”, deklaroi fillimisht mesfushori.

Ai i kthehet edhe një herë ndeshjes me Tërbunin, teksa thotë: “Arritëm të shënonim shpejt dhe e menaxhuam më së miri avantazhin. Sado që kundërshtari luante ashpër, nuk ramë pre. U munduam të vazhdonim lojën tonë me durim e përqendrim dhe në fund ishim ne që festuam. Po kalojmë momentin tonë më të mirë si ekip dhe po e shfrytëzojmë në maksimum ritmin dhe intensitetin e krijuar në fushën e lojës. I kemi arritur rezultatet pozitive me meritë të plotë, pasi kryefjala jonë është vetëm puna dhe vlerësimi i çdo kundërshtari”. Në fund foli edhe për veten dhe aventurën që po kalon në Fier. “Më duket sikur kam vite që luaj me Apoloninë, ndonëse jam afruar vetëm në janar. Bëra zgjedhjen e duhur”, përfundoi 25-vjeçari.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"