E ka telefonuar kryebashkiakja, zbulohet kandidati potencial për stolin e ekipit të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 15:26

E ka telefonuar kryebashkiakja, zbulohet kandidati potencial për stolin e ekipit të Kategorisë së Parë

Lushnja është në “ajër” momentalisht. Janë pozicionuar në zonën e rënies dhe kanë mbetur pa trajner, zv.trajner dhe sekretar klubi.

JUDMIR GAXHELI

Një ditë pasi u mbyll faza e parë, kryebashkiakja shkarkoi Ilir Gjylën, Dritan Çukon dhe Edison Koçin. Edhe pse u duk e çuditshme që i largoi fill pas fitores me Shkumbinin (që vinte nga 60 ditë mungesë), Eriselda Sefa shpjegoi enkas për “Panorama Sport” arsyen:

“Në nënshkrimin e kontratës, trajnerëve të ekipit të parë u ishte vënë një objektiv, i cili donte të thoshte që ekipi i Lushnjës të renditej në 5 vendet e para.

Në rast se kjo nuk do të realizohej gjatë fazës së parë, ndaj tyre do të merreshin masa për shkarkim nga detyra, për performancë dhe rezultate jo të mira.

Prishja e kontratës para afateve do të thotë penalitete ligjore dhe financiare ndaj klubit”.

Çështja është se kush do ta marrë drejtimin e ekipit. Edhe pse nuk ka ende zyrtarizim, “Panorama Sport” zbulon kandidatin më të kuotuar.

Ai është sërish lushnjar dhe e njeh ambientin. Bëhet fjalë për Judmir Gaxhelin, që aktualisht punon në sektorin e të rinjve (është një nga dy trajnerët e ekipit U-19).

Mësohet se kryetarja e Bashkisë Lushnjë e ka kontaktuar ish-mbrojtësin e verdhejeshilëve. “Shumë shpejt do të flasim nga afër”, mësohet t’i kenë thënë presidentja klubit.

Tekniku është treguar i gatshëm, duke iu përgjigjur: “Unë jam gati dhe gjithçka që posedoj do ta vendos në shërbim të Lushnjës dhe për të mirën e ekipit”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"