E ka stërvitur në Korçë, Llapanji: Ja çfarë e penalizon Bekim Rexhepin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 21:10

E ka stërvitur në Korçë, Llapanji: Ja çfarë e penalizon Bekim Rexhepin

Bekim Rexhepi ishte fillimisht “engjëll” e më pas “djall” në derbin e së dielës ndaj Tiranës. Portieri i të kuqve priti fillimisht një penallti, por më pas gaboi për të larguar topin dhe i dha shansin Xhixhës të shënonte.

ERION LLAPANJI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Erjon Llapanji, ish-trajneri i Rexhepit te Skënderbeu, ka folur në lidhje me situatën që gardiani nga Shkupi po kalon te Partizani. Ai shprehet se Rexhepi po vuan një ngërç psikologjik, të cilin do ta kalojë shpejt.

Si ka qenë Rexhepi me lojën me këmbë te Skënderbeu?

Rexhepi në Korçë nuk ka shfaqur shumë probleme në lojën me këmbë, por te Partizani kanë ndodhur dy raste në këto javë të para, kur ai ka shfaqur dobësi. Mund të themi se një nga pikat e dobëta të Rexhepit është loja me këmbë.

Mendoni se ndikon presioni që portieri ka te Partizani?

Mund të them se ana psikologjike është pak në disfavor të Bekimit, pasi ndikon shumë ndryshimi i ekipeve. Te Skënderbeu ai ishte për të shpëtuar nga rënia nga kategoria, ndërsa te Partizani po lufton për të dalë kampion. Ky është tjetër presion dhe ndryshojnë shumë gjëra.

REXHEPI BEKO

Bekimi priti edhe një penallti…

Rexhepi është shumë i përqendruar në lojën në distancë të shkurtër. Kur topi është shumë pranë, ai mund të bëjë pritje spektakolare. Problemi me të është edhe kur topi është në distancë.

Mendoni se ai do të kthehet në një pikë të fortë për Partizanin në vazhdim, pavarësisht këtyre gafave?

Gabimet ndodhën të dyja njëra pas tjetrës dhe bën mjaft bujë, por nuk mendoj se është problem i madh loja me këmbë për Bekimin. Gjithsesi, unë mendoj se Bekimi padyshim që do të bëjë një kampionat shumë të mirë. Ai do të jetë një nga pikat e forta të Partizanit. Padyshim që do ta ndihmojë Partizanin dhe për këtë jam i sigurt. Do ta kalojë këtë ngërç psikologjik të momentit dhe do të kthehet të bëjë shumë mirë.

Pra ju mendoni se Rexhepi duhet të vazhdojë të jetë titullar?

Rexhepi është shumë i përqendruar në stërvitje, nuk toleron asgjë dhe është gjithmonë i disiplinuar. Ky është vetëm një moment i keq për të. Ndërrimi i portierit është pak problematik, sepse kampionati është shumë i gjatë. Po nëse gabon edhe Albani, ku ta gjejë portierin Partizani? Të dëmtohen psikologjikisht të dy? Është shumë shpejt për të marrë një vendim të tillë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"