E ka pasur trajner te Korabi, futbollisti i Tomorit “zbërthen” Dalipin: Punëtor dhe modern!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2021 | 15:31

E ka pasur trajner te Korabi, futbollisti i Tomorit “zbërthen” Dalipin: Punëtor dhe modern!

Klevis Dalipi gjen dy njohje në vjetra te Tomori. Veç beratasit Ervis Çaço, ekipit i është bashkuar rishtas edhe Franc Lala. Dy lojtarë me cilësi të padiskutueshme në mbrojtje, të cilët i ka pasur nën urdhra edhe kur drejtonte Korabin.

Tomori Dalipi

Më mirë se ata, askush nuk e di si punon trajneri. Për të zbuluar më shumë, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me “veteranin” Çaço, që deri vjet kishte edhe statusin e zv.kapitenit.

“Më vjen mirë që do të punoj sërish me trajnerin Klevis Dalipi, me të cilin bashkëpunim një sezon te Korabi. Të gjithë e keni parë se shkoi skuadra dibrane me të në stol dhe fjalët do të ishin të tepërta. Jo vetëm që garuam deri në fund për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, por arritëm edhe një sukses të madh duke eliminuar Tiranën në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Është punëtor, i përgatitur mirë në planin metodist dhe aplikon skema të një futbolli modern. Kërkon maksimumin nga çdo futbollist, ka etikë komunikimi dhe është tejet miqësor.

Më e rëndësishme, di të transmetojë frymë pozitive në grup. Unë mendoj se cilësitë që i rendita më sipër, do na hapin rrugë drejt arritjes së rezultateve pozitive. Kam bindjen se me të, Tomori do të jetë i suksesshëm. Unë së bashku me qendërmbrojtësin Franc Lala, që kemi punuar bashkë te Korabi, do të jemi ‘ndihmësit’ e tij në fushë. Shpresoj që të gjithë bashkë të realizojmë ëndrrën e çdo beratasi dhe festojmë 100- vjetorin në elitë”, përfundoi 32- vjeçari.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"