“E gjithë Lushnja pret fitoren”, mesfushori Gava: Derbi vlen 6 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 16:09

“E gjithë Lushnja pret fitoren”, mesfushori Gava: Derbi vlen 6 pikë

Lushnjarët i kanë mbyllur përgatitjet në kuadrin e derbit me Apoloninë me një seancë të fundit të zhvilluar dje pasdite, në të njëjtin orar me ndeshjen e sotme, 17:00. Si gjithnjë, stafi teknik ka dhënë udhëzimet e fundit për lojtarët në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”.

gAVA

Te verdhejeshilët do të mungojë mesfushori Ergys Alushi, i cili nuk e ka përfunduar ende dënimin 4- javor të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa mbrojtësi i krahut të djathtë, Renato Dervishi, është i dëmtuar.

GAVA – Mesfushori organizator i Lushnjës, Orgest Gava, për gazetën “Panorama Sport” është shprehur optimist për sfidën e sotme në fushën e njërit prej dy rivalëve për Superioren: “Jemi përgatitur për shumë kohë me intensitet të lartë për këtë ndeshje me rëndësi të madhe.

Gjendja në skuadër është shumë e mirë dhe në grup ka optimizëm, të shohim si do të jemi pas një ndërprerjeje kaq të gjatë. Ne do të shkojmë në Fier për ta fituar takimin, siç bëjmë në çdo ndeshje. Pozicioni në renditje do të na motivojë, do të na lëvizë më shumë, sepse ne jemi një ekip që meritojmë më shumë”, është shprehur mesfushori 30- vjeçar. Lushnja rikthehet të luajë pas 3 muajve e gjysmë dhe menjëherë është nën presionin e rezultatit.

“Këto janë ndeshje me rivalë të drejtpërdrejtë dhe fitorja merr vlerën e 6 pikëve. E rëndësishme është të bëjmë më të mirën. Në të tria repartet kemi lojtarë me shumë eksperiencë, plus që jemi përgatitur mirë për këtë takim. Tani është momenti të tregojmë vlerat tona më të mira, është një ndeshje derbi dhe i gjithë qyteti i Lushnjës, shumë pasionant dhe futbolldashës, pret shumë nga ekipi. Kemi besim se do ta kalojmë me sukses”, ka përfunduar mesfushori elbasanas, Orgest Gava.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"