“E filloj me Partizanin”, premtimi i brazilianit të Egnatias: I zëvendësoj unë golat e Pedro Augustos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 19:27

“E filloj me Partizanin”, premtimi i brazilianit të Egnatias: I zëvendësoj unë golat e Pedro Augustos

Braziliani Xhekson Kenio po bëhet gati për sezonin e tretë me Egnatian, që është i dyti radhazi në Superiore. 23-vjeçari e zotëron jo dhe aq mirë gjuhen shqipe, por e kupton. Madje, më mirë e kupton sesa e flet. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Xhekson tregoi ndryshimet që ka pësuar Egnatia gjatë merkatos së verës dhe synimet në sezonin e ri.

XHEKSON

Ai ka edhe një bast me veten, pasi u ka premtuar shokëve se do të jetë njeriu “gol” i Egnatias, duke zëvendësuar Pdero Karabalin në majë të sulmit. Xhekson pohon se ndihet komod me rolin e ri, duke u zhvendosur si “pykë”, ku partner do të ketë Delarzhin në sulm. Në fund braziliani ka edhe një mesazh për tifozët rrogozhinas.

Xhekson, jeni lojtari i huaj që keni luajtur më gjatë tek Egnatia…
Me gëzon ky fakt. Njerëzit në Rrogozhinë më duan e respektojnë të gjithë. Vitet ikin shpejt. Unë kam ardhur të luaj futboll e të jap kontributin tim tek Egnatia, duke qenë i përgjegjshëm dhe me angazhim maksimal. E quaj një përvojë speciale fatin dhe faktin që luaj këtu prej 3 sezonesh tashmë.

Pse e quani përvojë speciale?
Dola kampion në Kategorinë e Parë, ku në finale mundëm 1-0 Dinamon në Elbasan. Sezonin e shkuar bëmë paraqitje pozitive në Superiore dhe fakti që mbijetuam me ndeshje shtesë, duhet ta kuptojnë të gjithë se nuk erdhi dhe aq për fajin tonë. Ndërsa tani jemi gati për një tjetër hap të madh në këtë sezon të ri.

Çfarë nënkuptoni me: hap të madh në sezonin e ri?
E para, drejtuesit, me në krye presidentin Agim Demrozi, që gjatë merkatos kanë ndërtuar një skuadër më futbollistë cilësorë. Vjet luaja me Pedron dhe shënonim, më shumë ai se ishte më i avancuar, por për sezonin e ri nuk merakosem, pasi do të kem në krah një lojtar tjetër me shumë potencial, sulmuesin Dzon Delarzh. Me të do të ndryshojmë vetëm rolet. Unë në qendër dhe ai do jetë i zhvendosur në krahë.

Po afron sfida e parë ndaj Partizanit në transfertë. Si e vlerësoni?
Gjithë vëmendja jonë është te kjo ndeshje. E njohim Partizanin, ekip i fortë që ka bërë ndryshime në përbërje, sikurse edhe ne. Egnatia, e them me bindje, do të luajë shtruar, pa ngarkesë emocionale. Në stërvitje u kam thënë shokëve se tani “njeriu gol” tek Egnatia, do të jem unë. Kam besim se shokët do të më ndihmojnë që kjo të ndodhë konkretisht duke filluar nga sfida e parë me Partizanin.

Cili është mesazhi juaj për tifozët rrogozhinas?
Ata na mbështesin kudo, si në ndeshje dhe stërvitje. E ndiejnë atmosferën e ndryshimeve pozitive që janë bërë në skuadër dhe dëshira e tyre është që të hapim një cikël më pozitiv nga ai sezonit të shkuar. Tifozëve u them që të na mbështesin, sepse ne do t’ua shpërblejmë me rezultate.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"