E duan të gjithë, Mërgjyshi i jep shpresë Apolonisë: Vendos deri më 20 qershor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2022 | 0:00

E duan të gjithë, Mërgjyshi i jep shpresë Apolonisë: Vendos deri më 20 qershor

E do Apolonia, por edhe Tërbuni me Dinamon. Në kampin kryeqytetas e quajnë të mbyllur, por Artan Mërgjyshi i ka dhënë pak kohë vetes. Nuk konfirmon dhe as mohon se është pranë bluve, por qartazi thotë: “Deri më 20 qershor do vendos”. Në kësi kushtesh, edhe në Fier mund të ketë shpresa.

mergjyshi

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri sqaron diçka rreth së ardhmes së tij, por nuk ngurron që të analizojë edhe sezonin e bardhejeshilëve.

Mërgjyshin e duan në Fier, Pukë dhe te Dinamoja. Cila është më pranë jush?

Më mirëkuptoni, nuk mund të flas me emra konkretë skuadrash. Nuk dua të krijohen keqkuptime. Jam në bisedime të avancuara, por nuk mund të flas më shumë në këtë moment. E di që jemi në kohë merkatoje dhe kjo periudhë shërben për lëvizje të ndryshme trajnerësh dhe lojtarësh.

Kur do ta merrni një vendim dhe sa shanse ka Apolonia?

Dëshiroj të shoh mundësinë më të mirë për të vazhduar karrierën. Ajo që mund të them me siguri është se brenda datës 20 qershor do të kemi një konkretizim të këtyre çështjeve, pasi ende jemi në bisedime.

Si ish-trajner i Apolonisë dhe duke e njohur mirë kampin, pse mendoni se nuk e arritën objektivin?

Nuk u arrit, se u kujtua shumë vonë për të synuar elitën. Sado që skuadra u përforcua në merkaton e janarit, më shumë synohej ruajtja e një vendi në fazën “play off” sesa arritja e vendeve të para në renditje.

Kurrsesi nuk arrihet objektivi final me fitoret e marra nga janari e në vazhdim, pasi nuk mjaftojnë në fund. Gjithashtu, koha ishte e pamjaftueshme për të kapur vendet e para duke parë që ekipet kryesuese si Bylisi, Erzeni dhe Korabi ishin shkëputur shumë në renditje.

Në aq sa e keni ndjekur, si e vlerësoni punën e Kanarsës?

Fillimisht dua të vlerësoj Kanarsën, pasi është një nga trajnerët e huaj më të mirë të ardhur në Shqipëri. Ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, por edhe ai si çdo i huaj në ambient të huaj do kohën e vet të përshtatjes. E thashë edhe më lart, ecuria jo e mirë e fillimit të kampionatit e ka penalizuar Apoloninë.

Gjithashtu, ka ndikuar dhe mosnjohja e kampionatit shqiptar pasi tekniku italian drejtonte për herë të parë një skuadër shqiptare. Ju e patë vetë që me kalimin e javëve dhe muajve, Apolonia e fazës së dytë ishte një tjetër skuadër që merrte maksimumin e pikëve si brenda ashtu dhe jashtë fushe. Arriti disi vonë të shprehte qartazi idetë dhe pikëpamjet e tij në lojën e skuadrës.

Apolonia prej vitesh i ka sytë te të rinjtë. Si e vlerësoni këtë politikë të klubit?

E cilësoj si një politikë të frytshme, pasi kanë promovuar jo pak të rinj këto vite. Akademia funksionon më së miri dhe është një plus i madh. Gjithashtu, dua të theksoj se kjo është rruga e duhur që duhet të ndjekin edhe klubet e tjera për të pasur financa dhe një buxhet të shëndetshëm. Mos të harrojmë që lojtarët e ardhur nga jashtë detyrimisht kanë shpenzime më të larta.

Në dy vitet e fundit keni drejtuar Apoloninë dhe Korabin. Ku ndryshon njëri klub nga tjetri?

Pikat e forta të Apolonisë janë infrastruktura, organizimi i klubit dhe energjia e jashtëzakonshme e të rinjve fierakë. Si pikë të dobët do të veçoja mungesën e eksperiencës në organikë, jo më kot i vuajnë transfertat. Nga ana tjetër, Korabi si pika të forta ka ndeshjet në shtëpi dhe lojtarët e shumtë me eksperiencë që ka në përbërje. Ndërsa pikat e dobëta të Korabit janë mungesa e infrastrukturës dhe organizmi i klubit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"