E duan në Maqedoni e Kosovë, Beqiri: E shoh veten në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 23:06

E duan në Maqedoni e Kosovë, Beqiri: E shoh veten në Ballsh

Pasi mbylli një sezon perfekt me Bylisin, Jeton Beqirin nuk po e lënë rehat. Oferta jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe Kosova. E megjithatë, trajneri duket i vendosur për të vijuar rrugëtimin dhe projektin me Besnik Kapllanajn.

E15A6188-1104-4C6C-BEDB-5A2FBA624DD9

Ndonëse nuk ka kontratë dhe aktualisht është duke shijuar pushimet pranë familjes në Tetovë, me t’u kthyer në Shqipëri do të ulet për të folur për kontratën dhe vendosur pikat mbi “i”. Vetë e ngjiti ekipin në elitë dhe po vetë dëshiron që ta drejtojë. Në një deklaratë të dhënë për gazetën, numri një i pankinës e sheh vetën në pankinë dhe për këtë e ka një shpjegim. “Unë e vlerësoj si shumë të mirë punën që kemi bërë në Ballsh.

Jam ndier super dhe e shoh veten anëtar të këtij klubi edhe vitin që vjen, për më tepër që do të jemi në elitën e futbollit. Megjithatë, siç ndodh rëndom në këtë periudhë… ka edhe ofertat. Nuk më mungojnë për hir të së vërtetës. Por Kapllanajn e kam mik dhe kam dëshirë që edhe në Superiore me Bylisin të bëjmë gjëra të mira dhe të paprovuara më parë”, tha fillimisht 41-vjeçari, që theu rekorde me ballshiotët.

Nuk kishte si të mos ndalej tek ecuria dhe bindja për të qenë dinjitozë edhe në “Abissnet Superiorë”. “Ka qenë një sukses më se i merituar këtë sezon, sepse ne e kemi dominuar garën në çdo aspekt. Në fund morëm atë që deshëm, siguruam Superioren tri javë nga fundi dhe titullin kampion.

Nuk u stepa kur mora ofertën nga Bylisi edhe pse ishte një ekip që do të garonte në Kategorinë e Parë në Shqipëri. Unë edhe më parë e njihja këtë ekip dhe kam qenë shumë afër edhe në saje të miqësisë që kam me presidentin Besnik Kapllanaj. Bylisi është një klub i njohur në Shqipëri dhe tashmë përgatitet për t’u paraqitur me dinjitet edhe në Superiore”, përfundoi Beqiri.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"