E duan edhe në Fier, Nako: Tomori mbetet prioritet, të tjerat vijnë më pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2021 | 23:32

E duan edhe në Fier, Nako: Tomori mbetet prioritet, të tjerat vijnë më pas

Rudin Nako është një ndër futbollistët më me përvojë në Kategorinë e Parë. Pas një sezoni me Tomorin, 34-vjeçari është momentalisht lojtar i lirë dhe ende nuk ka vendosur për skuadrën e re, teksa ofertat i variojnë nga Superliga e Kosovës, ajo shqiptare, por shumica nga Kategoria e Parë.

rubin-nako-653x420

Qendërmbrojtësin e përvojës e dëshirojnë shumë skuadra të këtij kompeticioni, veç të tjerave thuajse të gjitha ekipet ku ka luajtur më parë. Janë plot 5 skuadra të së Parës, me të cilat ai ka luajtur më parë: Apolonia, Bylisi, Korabi, Lushnja e Tomori dhe tri mes tyre janë të interesuara sërish për shërbimet e tij. Por fieraku është i vendosur të presë dhe të respektojë më së pari beratasit, nëse do t’i ofrojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi dhe pastaj do të marrë parasysh ofertat e tjera:

“Momentalisht po shijoj pushimet. Me Tomorin e kam mbyllur kontratën 1-vjeçare dhe tashmë jam lojtar i lirë. Kam kaluar një sezon shumë të mirë në Berat, ndaj pavarësisht ofertave që kam, Tomori mbetet prioritet, të tjerat vijnë më pas”. Nisur nga fakti i njohjes së mirë të gati 30% të skuadrave të Kategorisë së Parë, pasi është aktivizuar me to në të shkuarën, Nako parashikon një garë interesante, shumë më të rivalizuar dhe më të fortë.

“Një ndryshim i vonuar, madje duhej bërë më herët, sepse ka shumë më tepër cilësi tani”, deklaron ai. Qendërmbrojtësi e cilëson të pamundur rikthimin tek Apolonia dhe “huazon” një batutë të ishkapitenit fierak, Amarildo Dimo:

“Një lojtar i moshës sonë vlen sa dy lojtarë 18-vjeçarë… Kielini është 37 vjeç dhe shkoi në finalen e Kampionatit Europian me Italinë!” Pyetjes se nëse nuk do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ri, për cilën skuadër do të bënte tifozllëk nga 5 skuadrat me të cilat ka luajtur më parë, fieraku i përgjigjet:

“Nëse nuk luaj për asnjërën, do të jem me secilën veç e veç dhe me të gjitha skuadrat bashkë. Uroj që të jenë të gjitha rivale dhe t’i japin konkurrencë kampionatit, që gjithsesi e parashikoj të fortë”.

Në karrierën e tij, fieraku është aktivizuar 6 sezone e gjysmë me Apoloninë, 3 prej të cilave në Superiore, gjysmë sezoni tjetër po në elitë me Korabin si dhe në Kategorinë e Parë me Bylisin, Egnatian, Lushnjën dhe Tomorin, duke regjistruar 29.204 minuta në 229 ndeshje dhe 19 gola të shënuar, teksa ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit për disa nga këto ekipe.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"