E do Krotone, De Biazi me “vrap” drejt Serisë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 12:39

E do Krotone, De Biazi me “vrap” drejt Serisë A

Edhe pse ka vetëm pak ditë që është shkarkuar nga Alaveshi, Xhani De Biazi duket se do të rikthehet shumë shpejt në drejtimin e një pankine. Ai është përfolur si trajneri i mundshëm për kombëtaren e Australisë, por mediat italiane flasin për një tjetër ofertë për ish-teknikun e Kombëtares shqiptare. Skuadra e Krotones ka kontaktuar De Biazin, për të marrë vendin e lënë bosh nga Davide Nikola, i cili dha dje dorëheqjen.

De Biazi

Mediat Italiane raportojnë se bashkë me Tramexanin si ndihmës, ai mund të jetë tekniku i ri i Arlind Ajetit. Teksa e ardhmja e tij pritet të qartësohet, ish-trajneri i Shqipërisë, ka bërë edhe një koment lidhur me kilometrat e përshkuar në fushë gjatë këtij sezoni nga ekipet italiane. Mes statistikave të nxjerra deri në këtë moment të sezonit në kampionatin italian është edhe ajo tepër interesante që lidhet me vrapin në fushë. Pikërisht sasia e kilometrave është një tregues i mirë për të zbuluar se cilat janë ekipet që lëvizin më shumë e rrjedhimisht me mushkri të hekurta.

de biazi

“Lëvizshmëria në fushë jo domosdoshmërish është sinonim i rezultateve, por sidoqoftë është një sinjal mbi forcën e një ekipi”, shpjegon Xhani De Biazi. Në këtë shkrim të publikuar nga “La Repubblica”, më ndërhyrjen e ish-trajnerit të kombëtares shqiptare, shpjegohet se si ndikojnë kilometrat në ecurinë sezonale të një ekipi. Në bazë të të dhënave të deritanishme, maratonomakja e Serisë A deri në javën e 15- të është Fiorentina.

Chievo Verona vs Fiorentina

Të drejtuar nga Stefano Pioli, vjollcët janë skuadra që kanë vrapuar më shumë me mesatarisht 111.398 metra të përshkruar çdo ndeshje, falë edhe ideve të trajneri për ta bazuar lojën nga krahët. Menjëherë pas tyre, me diferencë fare minimale, janë zikaltrit e Luçiano Spaletit, njeriu që pasoi pikërisht Piolin në krye të milanezëve. Interi i tij vrapon 111.361 çdo sfidë të serisë A dhe në këtë rast, kilometrat në fushë janë përkthyer më së miri në pikë për renditjen që i sheh në vendin e parë pas 15 javësh.

interi

Podiumi plotësohet nga Atalanta e Xhan Piero Gasperinit me 111.027 metra për çdo ndeshje të luajtur. Kjo renditje e veçantë tregon se si sasisë i duhet bashkuar edhe cilësia që e thënë ndryshe është shpejtësia në sprint e interpretuesve. Siç shpjegon Xhani De Biazi: “Të vraposh mirë, do të thotë të shtosh presionin ndaj rivalit, të zhvillosh një presing më cilësor me skuadrën që qëndron e bashkuar në bllok duke lejuar që futbollistët të shprehin më të mirën e tyre në nivel taktik”.

atalanta

Kjo renditje shpjegon kampionatin e mirë të Fiorentinës, vendin e parë të Interit, por edhe ecurinë e shkëlqyer të Atalantës në vijimësi të sezonit të kaluar. Siç thuhet në fillim të shkrimit, vrapimi jo gjithmonë është tregues i vërtetë, me Napolin që çdo garë vrapon mesatarisht 110.281 dhe renditet i katërti. Ajo që habit është Juventusi që, megjithëse në këtë klasifikimi mban vendin e 14-të, në nivel pikësh është mes të parave të Serisë A.

107.963 metrat për ndeshje të djemve të Alegrit ndoshta vlejnë pak në këtë studim, por i japin kurajë Milanit. Në fakt, kuqezinjtë janë në podium, negativisht, për kilometra në fushë me 10,54 km. Më keq se skuadra që Gatuzo ka trashëguar nga Montela ka bërë vetëm Torino, me 10.4 km për ndeshje. Rastësia do që edhe torinezët drejtohen nga një tjetër ish-teknik i Milanit si Sinisha Mihajloviç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"