“E dinë këta lojtarë ku luajnë?!”, ish-sulmuesi Seiti shfryn pas humbjes ndaj Partizanit: U përqafuan sikur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 16:01

“E dinë këta lojtarë ku luajnë?!”, ish-sulmuesi Seiti shfryn pas humbjes ndaj Partizanit: U përqafuan sikur…

Luftëtari vazhdon të zhgënjejë dhe humbja e fundit duket se ka mbushur “kupën”. Ishsulmuesi i paraviteve ’70-’80, Luan Seiti, ka shprehur indinjatën e tij për paraqitjen e bluzinjve në “Selman Stërmasi”. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” analizon çfarë nuk shkoi në këtë takim dhe rrezikun që i kanoset ekipit.

Luan-Seiti

“Nuk mund të rrija pa dhënë mendimin tim për ndeshjen me Partizanin. Ju them se është hera e fundit që prononcohem nëse gjërat nuk ndryshojnë. Jemi të gjithë të indinjuar për rezultatet e skuadrës. Na u dha mundësia më e mirë për të shënuar dhe nuk ditëm ta shfrytëzonim.

Shyqyr Zotit që më në fund një gjyqtar u tregua korrekt. Por mënyra se si Rrapo gjuajti përballë një portieri që shquhet për pritjen e 11-metërshave si Alban Hoxha, më habiti. Penallti kanë humbur ‘yje’ të futbollit botëror. Nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kapitenit. Unë kam një mendim tjetër. Nëse Fili do të ishte në fushë dhe do merrte përsipër ekzekutimin e penalltisë, besoj se do shënonte.

partizani luftetari

Ai është sulmues i fortë dhe i duhet skuadrës. Nuk mendoj se penalizmi i tij është i drejtë. Ndoshta dhe një mbrojtës, apo tjetër lojtar mund ta merrte përsipër penalltinë. Jo vetëm kaq. Partizani për mua në fushë kishte një lojtar, Trashin, të gjitha kroset vinin nga këmbët e tij. Trajneri duhet të merrte masa për neutralizimin e tij. Nuk pashë diferenca mes lojtarëve, por thjesht mungesë impenjimi. E dinë këta futbollistë cilën fanellë përfaqësojnë. Nuk mund të justifikohemi me mungesën e eksperiencës dhe përvojës.

Përkundrazi, lojtarët i kanë marrë minutat dhe kështu duhet të tregojnë sa vlejnë. Dikush investon për ta, ndaj dhe duhet të përligjin investimin. Më mirë të luajnë lojtarët 19- vjeçarë të Luftëtarit, sesa të vazhdohet kështu. Më mirë në Kategorinë e Tretë, sesa kështu. Edhe Flamurtari u mund nga Kukësi, por luajti shumë mirë dhe në fund lojtarët ulën kokën dhe e lanë fushën të dëshpëruar.

Ata (vlonjatët) treguan se u dhimbset fanella e skuadrës së qytetit. Kur humbet, zakonisht jepet dora, se nuk jemi serb dhe të mos takohemi. Lojtarët tanë në fund të ndeshjes u përqafuan dhe gëzuan bashkë me lojtarët e Partizanit, thua se e kishin fituar ata ndeshjen. Është e logjikshme i jepet dora kundërshtarit, por ulet koka dhe shkohet në dhomat e zhveshjes”, përfundoi Seiti.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"