“E di që jam i rrezikuar”, Valverde: Kujdes, Slavia për pak tronditi Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 16:41

“E di që jam i rrezikuar”, Valverde: Kujdes, Slavia për pak tronditi Interin

Barcelona kërkon të hedhë një hap të sigurt drejt kualifikimit në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve dhe Ernesto Valverde pret një përgjigje pozitive nga të tijtë pas humbjes me Levanten.

ernestovalverde-cropped_zo47wcxn7kbm11istbe727rcq-1-770x433

Sot në 18:55 katalanasit do të presin në “Camp Nou” Slavian e Pragës, por trajneri kërkon kujdes dhe kujton ndeshjen e parë që skuadra çeke luajti ndaj Interit dhe për pak iu afrua fitores në “San Siro”. Numri një i stolit të Barcelonës merr përgjegjësitë për ndeshjet e dobëta që ka bërë ekipi dhe thotë se duhet të gjejnë zgjidhjen shumë shpejt.

SLAVIA- “Imagjinojmë që do të jetë një sfidë e ngjashme me atë të kaluarën dhe me atë që ata luajtën në fushën e Interit. Slavia ka një identitet në fushë dhe në kampionatin e tyre janë të shkëputur në krye. Ishin shumë pranë fitores ndaj Interit dhe janë ekip i fortë fizikisht”.

VËSHTIRËSI- “Kur humbasim një ndeshje, unë përpiqem që të gjej arsyet futbollistike. Në fillimin e sezonit nuk ishim mirë, sidomos në transfertë. Pastaj morëm 3 fitore radhazi jashtë shtëpisë. Ne duhet ta pyesim veten pse e humbëm atë ndeshje dhe të gjejmë faktorët”.

I KRITIKUAR- “E dimë të gjithë si është kjo punë. Trajneri është përgjegjësi i ekipit dhe grupit. Unë i marr këto përgjegjësi. Në ditën e ndeshjes na shënuan vetëm me një goditje, por duhet të dimë të dalim nga këto momente presioni”.

DEMBELE- “Secili duhet të shikojë veten e vet. Kur luan thuhet se gjërat janë në rregull. Në skuadër kam shumë lojtarë dhe secili do të ketë mundësinë e vet. Kur të vijë mundësia e tij, duhet ta përmirësojë”.

NDRYSHIMI- “Mundësia për të luajtur në një mënyrë të ndryshme nga kjo aktuale është gjithmonë prezente. Mes mundësive që kemi duhet të kërkojmë të gjejmë zgjidhjet. Duhet të qarkullojmë shumë topin dhe të gjejmë mundësinë për pasimin e fundit”.

Valverde

SUAREZ- “Nuk ka një dëmtim të rëndësishëm, por nuk e di se kur do të rikthehet me siguri. Për nesër (sot) patjetër që nuk do të jetë, por ndoshta në fundjavë.

PRESION- “Kur humbet, sigurisht që ke më shumë presion. Ne që merremi me futboll e dimë se çfarë do të thotë të humbasësh një ndeshje. Duhet të reagojmë dhe të fitojmë patjetër ndeshjet e ardhshme”.

TË RINJTË- “Grizman nuk duhet të limitohet në aspektin defensiv, por të bëjë më të mirën edhe në repartin ofensiv. Është duke u përfshirë mirë në lojë. Edhe De Jong është ende në kohën e përshtatjes me ekipin. Kur luan përpara mbrojtjes shpenzon shumë energji, por është i zoti për të dalë nga çdo moment i rrezikshëm me zgjuarsinë që ka”.

PIKËT- “Skuadrat kanë ato pikë për meritat apo gabimet e tyre. Ne si Barcelonë kërkojmë më shumë dhe duam që të përmirësohemi në të gjitha kompeticionet”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"