“E di çfarë ndodhi vjet te verilindorët, jo hakmarrje”, Josa: S’më intereson Kukësi, dua që Laçi të funksionojë mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 10:25

“E di çfarë ndodhi vjet te verilindorët, jo hakmarrje”, Josa: S’më intereson Kukësi, dua që Laçi të funksionojë mirë

Trajnerit Mirel Josa nuk i intereson emri apo ecuria e kundërshtarit, por sjellja e skuadrës së tij në fushë. Josa nuk e shikon si hakmarrje përballjen me Kukësin, por indirekt tregon se çfarë nuk ka funksionuar vjet te verilindorët që i drejton në pjesën e dytë të sezonit. Trajneri kryeqytetas pohoi për “Panorama Sport” se fjala transfertë është fshirë pas pandemisë COVID-19, ndaj pret që Laçi të marrë suksesin e radhë në “Air Albania” ndaj Kukësit. Në fund, trajneri Josa flet edhe për pritshmëritë e Laçit në merkaton e janarit.

MIREL JOSA 1

Laçi dhe Kukësi vijnë në përballjen e sotme pas dy fitoreve të thella në kampionat. Si trajner i kurbinasve, si e shikoni këtë takim?

E shikoj si një ndeshje që do të jetë e vështirë për të dyja ekipet.

Keni deklaruar se nuk ka ndeshje të lehta në Superiore, por a ka diçka që ua bën më të vështirë ndaj Kukësit në krahasim me të tjerët?

Kukësi është më lart se ne në klasifikim, një ekip që ka treguar vlera futbolli, ashtu siç kemi treguar edhe ne. Ndaj, është e vështirë që të parashikohet si ndeshje kjo mes Kukësit dhe Laçit.

Është një sfidë mes skuadrave me sulmet më të mira. Sa ju gëzon forma e sulmuesve tuaj, të cilët kanë gjetur ritmin e shënimit?

Nuk është vetëm problemi i sulmit. Mua më intereson mënyra se si skuadra sillet në fushë. Më intereson mënyra, jo vetëm sulmuesit, por edhe pjesa tjetër e ekipit, si sulmon dhe mbron njëkohësisht.

Keni thënë se Laçi gjithmonë futet për fitore. Duke ditur që luani në transfertë, mos ndoshta ndaj Kukësit edhe barazimi ju shkon përshtat?

Pas periudhës së COVID-it nuk ka më probleme transfertash. Mbaruan transfertat, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën. Shikoni se çfarë bëjnë skuadra të ndryshme jashtë fushës së tyre, pasi janë më të rrezikshme sesa në shtëpi. Kështu që të luash në transfertë tani nuk do të thotë asgjë. Unë pres një ndeshje shumë të luftuar. Do të ketë sukses ajo skuadër që do të fitojë dyluftimet në mesin e fushës.

Vjet ishit trajner i Kukësit, çfarë ndryshimi shikoni te kundërshtari i sotëm apo i keni pjesë të strategjisë së ndeshjes dhe nuk i thoni?

Nuk shikoj ndonjë ndryshim te kundërshtarët. Ndryshimin nuk e lidh te mënyra e funksionimit të ekipit apo stafit teknik, por te mënyra e funksionimit të të gjithë klubit. Mua tani më intereson se si funksionon Laçi dhe jo si funksionon Kukësi. Kemi një Kukës, që vjet ka funksionuar në një mënyrë që e di shumë mirë dhe nuk jam prononcuar fare për atë. Por, me sa duket ata kanë ndryshuar funksionimin e klubit në tërësi. Nuk e di dhe nuk jam interesuar fare, po kush e di, kanë ndryshuar diçka. Nuk dua të merrem shumë me problemet e Kukësit, mua më intereson tani vetëm skuadra ime.

A mund të jetë kjo ndeshje njëfarë “hakmarrjeje” për ju për atë që nuk funksionoi mirë kur ishit në krye të Kukësit?

Jo, jo. Hakmarrje nuk kam me asnjë skuadër, aq më shumë që nuk është Kukësi ekipi i parë që kam drejtuar dhe unë përballem si kundërshtar. Mua më intereson që lojtarët e mi të jenë shumë të përqendruar dhe të marrin rezultat.

A ka nevojë Laçi të ndërhyjë në merkato dhe a keni piketuar diçka?

Nuk do të flas për merkaton, pasi s’e kam bërë në asnjë skuadër që kam qenë më parë, edhe me ata që kam dalë kampion, përpara se të mbarojë faza. Por mund të them këtë, presidenti më ka garantuar se nëse kërkon një apo dy lojtarë, unë jam i gatshëm t’i sjell. Tani për tani jam i kënaqur me lojtarët që kam.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"