E dhunuan policët, gazetari i “Panorama Sport” ndihmon djaloshin 15-vjeçar që ka hobi… futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 0:12

E dhunuan policët, gazetari i “Panorama Sport” ndihmon djaloshin 15-vjeçar që ka hobi… futbollin

Një lajm i paprecedentë tronditi të gjithë opinionin disa ditë më parë, teksa një djalosh 15-vjeçar, u dhunua barbarish nga disa policë, teksa videoja e rëndë bëri xhiron e internetit. Të shumtë kanë qenë qytetarët që u sensibilizuan me këtë ngjarje të shëmtuar, duke i dalë në krah të riut. Mes tyre edhe gazetari i “Panorama Sport”, Skerdilaid Sulozeqi, i cili është gjendur pranë të riut të quajtur Sarandi, duke e regjistruar në një akademi futbolli.

Sulozeqi

“Quhet Sarandi dhe është 15 vjeç. Hobi i tij është futbolli. Skuadra e preferuar është Juventus. Idhulli i tij është kampioni i madh Xhanluixhi Bufon. Po, po futbolli dhe pse ditën e premte me datë 15 maj, në orën 16:50 ishte duke bërë sport me biçikiletë nga kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, ku u rrah shtazërisht nga 5 efektivë të policisë së shtetit, pasi sipas tyre minoreni kishte shkelur karantinën, orari i së cilës me VKM ishte përcaktuar deri në ora 17:30, më pas zyrtarisht sipas policisë shkaku ishte kundërshtim i efektivëve të policisë. Për punonjësin e policisë që dhunoi 15 vjecarin, u morë një masë pezullim i përkohshëm, ndërsa për katër kolegët e tjetër të tij bashkë autorë asnjë masë administrative përvecse vërejtje. Nga njohja e tërthortë me këtë familje unë zbulova se Sarandi paskësh luajtur futboll me grupmoshat, madje portier. Kjo është dhe një arsye pse 15 vjecari ka dhe atë shtatlartësi mbi 180 centimetra. Por, për shkak të pamundësisë financiare ishte detyruar ta braktiste stërvitjen, por jo pasionin e tij për futbollin.

portieri

Si gazetar dhe apasionant mbas sportit më lindi një dëshirë e madhe shpirtërore që Sarandin ta ingranonim sërisht në rrugën e duhur, atë të sportit. E në mendje më shkoi miku im Blendi Bahulli (trajner portierësh), te i cili u interesova dhe i kërkova ndihmë për një ulje të tarifës mujore stërvitore, të cilën do ia merrja unë përsipër djalit. Duke e lidhur me ekipin e preferuar Juventusin, trajneri më sygjeroi akademinë “Juventus Academy Tirana”, dhe simbioza u ngjiz në mënyrë perfekte.

Për fat të mirë në këtë vend ka dhe vlera, e një i tillë ështe dhe zoti Dritan Metaj, i cili pasi e dëgjoi rastin, si drejtor i akademisë e refuzoi kërkesën për t’i paguar një pagesë minimale mujore Sarandit, por u tregua shumë i gatshëm dhe i ofroi djalit falas trajnimin e plotë dhe bazën materiale për një vit (e falenderoj shumë). Ëndrra dhe pasioni i tij u kthyen në realitet, 15 vjecari u prezantua në ekipin e ri, e nisi stërvitjen.

djaloshi i dhunuar nga policia

Çdo dashuri e vërtetë lind me ekipin e futbollit të zemrës, ndaj ne i urojmë Sarandit shumë suksese me ekipin e tij të zemrës! Sporti është vetë jeta, mik i shëndetit të mirë dhe armiku numër një i veseve. Ndaj një i ri më shumë i orientuar në sport përkthehet në një të ri më të mbarë për vendin. Në këtë kuadër i bëj thirrje përfaqësuesëve të qeverisë për linjën, të hartojnë politika të mirëfillta për sportin, e të orientojnë fëmijët drejt sportit dhe konkretisht të ndihmojnë Sarandin dhe familjen e tij ( jo me lëmoshë), por denjësisht.”, shkruan ndër të tjera gazetari i “Panorama Sport”, në profilin e tij në “Facebook”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"