E BUJSHME! Vladimir Kliçko mendon kthimin në ring pas luftës: Sporti është pjesë e jetës time
Vladimir Kliçko, ish-kampioni i botës në pesha të rënda në boks për IBF, WBO, WBA dhe IBO, po mendon seriozisht që të kthehet në ring, edhe pse në moshën 46-vjeçare, sapo të përfundojë lufta në Ukrainë. Boksieri ukrainas gjendet në Kiev ku ka qenë krahu i djathtë i vëllait të tij të madh, Vitali, i cili është kryetar bashkie në kryeqytetin ukrainas.
Por në një intervistë për “Bild” ai zbuloi se planet e tij ishin që të kthehej përsëri në ring. “Unë kam mësuar se pavarësisht luftës, nuk duhet të harrojmë jetën. Sporti është pjesë e jetës time. Jam shumë i lumtur që Fjuri fitoi. Ku i dihet, nuk mund të premtoj asgjë këtu, por nëse jam në formë të mirë dhe lufta në Ukrainë të përfundojë shpejt me kufijtë tanë që ekzistojnë pa frikën e një pushtimi rus, pastaj ku i dihet?
Nëse jam në formë të mirë, ku i dihet, ndoshta kam këtë ëndërr që të thyej rekordin e Xhorxh Foreman. Kjo më motivon çdo ditë që të çohem e bëj sport. Çdokush ka motivimin e tij”, tha Kliçko. Ai i referohej ndeshjes së nëntorit 1994, kur Foreman në moshën 45 vjeç, 8 muaj e 25 ditë, sfidoi Majkëll Murer i cili ishte 18 vjet më i ri në moshë dhe e mposhti duke i marrë titullin botëror.
Kliçko mbylli karrierën e tij në prillin e vitit 2017, pasi u mund me KO teknik ndaj Entoni Xhoshua në raundin e 11. Ai mbylli një karrierë shumë të suksesshme me 64 fitore dhe vetëm 5 humbje. “Nuk dua të thyej nofulla, dua të thyej një rekord. E kam thënë para luftës. Tani që është lufta, mendoj vetëm për paqen në Ukrainë dhe kur ajo të vijë, atëherë do të flasim për këtë”, tha Kliçko. Ai humbi titujt e tij botëror në nëntorin e vitit 2015, ndaj Tajson Fjuri, i cili e mposhti me pikë në një duel epik në Dyseldorf. Për shkak të problemeve shëndetësore të Fjuri, nuk pat kurrë një ndeshje revanshi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"