E BUJSHME/ Sirena turke për Bathën, futet në lojë edhe një skuadër azerbajxhanase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 20:39

E BUJSHME/ Sirena turke për Bathën, futet në lojë edhe një skuadër azerbajxhanase

Tirana mund të hum basë në verë një nga lojtarët kryesorë të saj. Bëhet fjalë për Idriz Bathën, mesfushorin, i cili këtë sezon ka shkëlqyer me bardheblutë. Futbollisti që është aktualisht pa kontratë të rinovuar, pasi aktualja i mbaron më 31 maj, mund të provojë një aventurë jashtë vendit.

batha

Burime pranë bardhebluve bëjnë me dije se futbollisti ka oferta nga Turqia dhe Azerbajxhani dhe nëse nuk bie dakord me bardheblutë në ditët në vazhdim, gjasat janë që ai të largohet nga kampionati shqiptar. Paraqitja e mirë këtë sezon ka rënë në sy të menaxherëve dhe ndoshta gjirokastritit mund t’i plotësohet mundësia të vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë gjithmonë nëse Tirana nuk e bllokon për ta bërë pjesë të skuadrës së vet.

Këtë sezon Batha është një nga ato pika të forta, duke bërë diferencën në fushë. Jo vetëm me pasa, apo fitim duelesh, por edhe gola e shpirt gare. Tani, ai është një futbollist i pjekur, i matur e me karakter të fortë. Nuk dorëzohet asnjëherë, nuk nxitohet dhe tregon se në fushë mund të bëjë gjëra të mëdha. Mjafton të tregojmë që ka shënuar 18 për qind të golave të Tiranës. Ka vendosur dy derbe, me golat e shënuar.

Ka dërguar në rrjetë sferën në sfidën me Kukësin, gol që solli më pas përmbysjen e madhe si dhe kreun e Tiranës. Dhe të thuash që ai është një ish i Partizanit, që po bën diferencën te Tirana. Shkurt, Batha është kthyer në një nga liderët e skuadrës, për të mos thënë terminatori i bardhebluve, pasi edhe vetë shifrat janë në favor të tij, duke nisur që nga minutat e ndeshjet e deri te golat. Thënë ndryshe, Tirana ka gjetur peshën e fortë të skuadrës, në një vit që me të vërtetë e meriton titullin.

Batha Tirana

Idriz Batha ka shënuar 8 gola këtë sezon me fanellën e Tiranës, nga 48 që ka shënuar në 26 javë skuadra bardheblu. Katër gola i ka shënuar me penallti, ndaj Luftëtarit në fitoret 3-0 e Flamurtarit 2-0 si dhe dy gola në derbin e tretë me Partizanin. Katër golat e tjerë, tre i ka shënuar me këmbë, Luftëtarit dhe Kukësit. E veçantë është që ka shënuar në kampionat një gol me kokë ndaj Partizanit.

idriz batha

Me statistikë nga 48 golat e Tiranës, 18 për qind i ka shënuar gjirokastriti. Për statistikë, Idriz Batha është golashënuesi i parë nga Superiorja në “Air Albania”. Gjirokastriti mbetet edhe lojtari i cili është aktivizuar më shumë këtë sezon te Tirana. Me plot 2199 minuta në 25 takime ai është në krye të atyre që kanë qenë më shumë në fushën e lojës. Ka luajtur 96 për qind të takimeve këtë sezon si dhe ka një mesatare prej 94 minutash në fushën e lojës. Të gjitha ndeshjet i ka nisur si titullar, ndërsa vetëm në katër prej tyre është zëvendësuar.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"