E BUJSHME/ Sheikët e Mançester Sitit i besojnë Erjon Bogdanit rolin e rëndësishëm në klubin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 23:55

E BUJSHME/ Sheikët e Mançester Sitit i besojnë Erjon Bogdanit rolin e rëndësishëm në klubin e ri

Erjon Bogdani kthehet përsëri në futbollin aktiv dhe do e bëjë me një rol shumë të rëndësishëm në një nga klubet më historike të futbollit italian. Ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, është emëruar në një detyrë të rëndësishme në klubin e ri që kanë blerë së fundmi sheikët e Mançester Sitit.

ERJON BOGDANI

“City Group” me në krye emirin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khaldon el-Mubarak, ka blerë pak muaj më parë klubin e Palermos, me objektivin që ta kthejnë shumë shpejt në një superfuqi edhe në futbollin italian. Planet e klubit janë që të ketë një zhvillim të shpejtë dhe nga Seria B, të bëjnë hapa para për kthimin sa më të shpejtë në elitë. Por ndërsa planet e klubit janë që të bëjë këtë hap të shpejtë nëpërmjet merkatos, po punohet paralelisht edhe me të ardhmen dhe zhvillimin. Këtu hyn në skenë Erjon Bogdani.

Ky i fundit është emëruar në rolin e shefit të skautëve për futbollin e të rinjve, që ka për detyrë të monitorojë talentet që klubi do të tentojë të afrojë në akademinë e tij. “Panorama Sport” ka kontaktuar ish-futbollistin dhe ka marrë konfirmimin për këtë emërim që është një hap i rëndësishëm për rekordmenin e golave me fanellën e përfaqësueses shqiptare. Bogdani ka qenë edhe më parë pranë futbollit të moshave dhe ka njohuri të mira rreth tij, pasi për dy vite, 2017-2018, ka drejtuar përfaqësuesen U19 të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"