E BUJSHME/ PSG-ja dëshiron Levandovskin, agjenti i bomberit polak drekon në Paris

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2021 | 12:16

E BUJSHME/ PSG-ja dëshiron Levandovskin, agjenti i bomberit polak drekon në Paris

Robert Levandovski vazhdon të shqetësojë tifozët e Bajernit në këtë merkato vere. Disa ditë pasi mediat gjermane shkruanin për një ultimatum të polakut për t’u larguar nga Mynihu, vjen dhe lajmi tjetër. Bëhet fjalë për takimin e agjentit të tij, Pini Zahavi, me drejtuesit e Parisit. Izraeliti është parë në kryeqytetin francez, teksa mendohet të jetë takuar për çështje merkatoje.

LEVANDOVSKI 1

Me Kilië Mbapenë drejt Real Madridit, Levandovski është emri i parë që mendohet të zërë vend në sulmin e skuadrës parisiene. Sipas “Marca”-s, polaku është në “pole position” për të zëvendësuar yllin e Parisit. Leva ka një kontratë deri në 2023 me Bajernin dhe, sipas drejtuesve gjermanë, ai do ta respektojë këtë kontratë dhe madje do të tentohet edhe për një rinovim të tijin deri në 2025.

Presidenti Herbert Hainer u shpreh qartë: “Robert është një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin tonë. Ai do të vazhdojë të respektojë kontratën me ne deri në 2023, shpresojmë sigurisht që ai të qëndrojë dhe më gjatë se aq”, shprehej numri një i klubit gjerman. Ndërkohë sipas mediave gjermane, Bajerni ka menduar dhe planin B, në rast të një largimi të Levandovskit.

Bëhet fjalë për Erling Haland, norvegjezi që luan për Borusian e Dortmundit. Edhe pse kushton shumë, Bajerni mund të hapë thesin për sulmuesin verdhezi për të siguruar shërbimet e tij në të ardhmen. Gjithsesi, gjithçka do të varet nga largimi i Mbapesë drejt Realit.

Klubi spanjoll ka bërë një ofertë prej 160 milionë eurosh dhe francezi pritet t’i bashkohet klubit spanjoll. Me ardhjen e Lionel Mesit në Paris, Mbape nuk do të shihet më si idhull i tifozërisë, kalimi i tij në La Liga mund të jetë një hap i rëndësishëm pasi kështu ai do t’i bashkohej një prej klubeve më historike në botë.

Një klub për të cilin ka bërë tifozllëk që kur ishte i vogël dhe kur për “Galaktikët” luante portugezi Kristiano Ronaldo që gjithashtu është idhulli i tij.

Merkatoja në aksin Paris-Madrid-Mynih pritet të jetë e nxehtë në këtë merkato vere, duke bërë që tifozët të jenë në ankth për lojtarët e tyre.

Largimi i një bomberi si Levandovski do të ishte pa dyshim një humbje e madhe për Bajernin dhe të gjithë Bundesligën gjermane që do të “shteronte” në gola, të cilët në vitet e fundit janë realizuar me shumicë nga polaku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"