E BUJSHME/ Portieri i Kombëtares drejt Serisë A, agjenti zbulon prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 19:24

E BUJSHME/ Portieri i Kombëtares drejt Serisë A, agjenti zbulon prapaskenat

Ish-kapiteni i Laçit Gentian Selmani mund të hedhë një hap të madh në karrierën e tij.

gentian selmani kombetare

Agjenti i tij Deniz Ujsal rrëfen për median italiane ‘’Calciomercato’’ se presidenti i klubit të Menemen Sporit me të cilën aktivizohet Selmani, dëshiron të nisë bisedime për të ardhmen e 21-vjeçarit me disa prej klubeve italiane. ‘’Calciomercato’’ hedh hipoteza se dy prej skuadrave që kanë shfaqur interesim për portierin e Shpresave janë Torino dhe Leçe.

Pas përhapjes së këtij lajmi, media pranë klubit torinonez ‘’Torinogranata.it’’ ka shprehur konsideratën më të madhe për Selmanin duke e vlerësuar si ‘’një investim me leverdi për portën e saj’’.

Selmani

Gjithmonë kjo media i ka kushtuar një artikull të plotë për karrierën e ish-portierit të Laçit duke theksuar instiktet e tij, reflekset dhe talentin.

‘’Kush është Gentian Selmani? I rritur te akademia e Partizanit, ai lëvizi më pas te Kastrioti në janar të 2015. Brenda vitit atë e bleu Laçi. Pas kësaj lëvizjeje, Selmani kaloi te Menemen Spori, skuadër e Kategorisë së Dytë të futbollit turk.

Selmani i ka treguar vlerat e tij me ekipet zinxhir të kombëtares së Shqipërisë. Me Shqipërinë U-21 ai ka regjistruar 11 paraqitje si dhe duke shënuar një gol në sfidën me bashkëmoshatarët e Bjellorusisë. Madje në një ndeshje me Italinë U-21 në 11 shtator 2018, ai realizoi disa pritje vendimtare.

selmani

Selmani është një portier modern, i cili di mjaft mirë të luajë jashtë portës dhe të mos dalë nga zona e rreptësisë. Ka pozicion të saktë, por mund ta përmirësojë më shumë në të ardhmen, sepse ka moshë të re.

A është ai portieri i duhur për ‘Granatat’? Mund të jetë një bast i rrezikshëm nëse klubi e blen, por duke marrë parasysh se mbrojtja e ‘Demave’ është njëra prej më rezultativeve në Itali dhe Europë dhe falë portierit Salvatore Sirigu, mund të jetë një investim i përshtatshëm për të ardhmen në këtë pozicion’’, shkruan ‘’Torinogranata.it’’ për Gentian Selmanin.

21-vjeçari u vlerësua prej vitesh jo vetëm si njëri prej portierëve më të dalluar në Shqipëri, por dhe si njëri prej lojtarëve më të spikatur në kampionatin shqiptar. Ai ka arritur të përshtatet në mënyrën e duhur në Turqi me skuadrën e Menemenit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"