E BUJSHME/ Pogba dhe një sulmues, zbulohet plani milioner i Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 27, 2020 | 0:17

Bota FB Lajmi i fundit LAJMI KRYESOR Seria A

E BUJSHME/ Pogba dhe një sulmues, zbulohet plani milioner i Juventusit

Do mbyllet ose jo ky kampionat, kjo është e gjithë për t’u parë, por koronavirusi pavarësisht masakrës që ka shkaktuar në Itali, ky vend kërkon dhe po Lufton çdo ditë që të ringrihet. Pas stuhisë së frikshme dielli do të rilindë sërish dhe jeta do të vazhdojë normalisht, ashtu sikurse edhe një sferë shumë e rëndësishme për italianët, futbolli.

jUVENTUS

Dhe pasi sporti më i dashur i botës, por që në Itali shihet si fe dhe jo thjesht si një lojë ku 22 veta ndjekin topin në një stadium, të nisë të xhirojë normalisht, Juventusi është çdo ditë në punë për të menduar për të ardhmen e afërt… Për sezonin e ardhshëm, në të cilin sigurisht shpreson dhe kërkon që të jetë edhe më i fortë.

Madje, planet e drejtorit sportiv bardhezi, Fabio Paratiçi, janë shkruar dhe presin vetëm që të vihen në zbatim, menjëherë sapo situata në Itali, në Europë dhe në botë të stabilizohet.

Prioriteti Pogba

Ndonëse mbrojtja, sidomos sektorët nga krahët janë të varfër me alternativa, kjo pjesë të paktën për Paratiçin nuk duket shumë shqetësuese, pasi në Torino kërkojnë dhe do vazhdojnë të punojnë për ëndrrën Champions.

paul_pogba_manchester_united_1_0

Siç thuhet shpesh lidhur me këtë turne, sekreti dhe çelësi i suksesit për të arritur te trofeu është mesfusha. Torinezët kanë një objektiv të madh, por edhe një bindje se lojtari që do të dërgonte këtë repart në një nivel për të pushtuar Europën është Pol Pogba. Tashmë të gjithë e dinë se francezi, i cili la Torinon 3 vite më parë, e ka pranuar me fjalë dhe me gjeste se është bërë pishman që zgjodhi rikthimin te “Djajtë e Kuq”, duke qenë se pas përplasjeve me Zhoze Murinjon, edhe me Ole Gunar Solskjaerin nuk është se dashuria ka shpërthyer.

Prandaj, dëshira e lojtarit është largimi nga Mançesteri dhe rikthimi në Torino është një ide që e josh. Madje, këtë fakt Pogba e ka pranuar hapur në disa intervista të ndryshme, por edhe menaxheri Raiola gjithashtu. Madje, vetë Pol zgjodhi që disa ditë më parë të postonte teksa stërvitej me bluzën e Juves, edhe pse ai nënvizoi se kjo zgjedhje ishte edhe një mesazh urimi për mikun e tij në Kombëtaren franceze, Blez Matuidi, i cili rezultoi pozitiv me COVID-19.

Dhe për Pogbanë jo vetëm indiciet janë të shumta, por në të njëjtën kohë edhe drejtori Paratiçi mendon se merkato e ardhshme është momenti i duhur për të tentuar sulmin dhe rikthimin e mesfushorit te Juventusi. Kjo, pasi edhe Mançester Junajtid gjithashtu kërkon të largojë “stresin” dhe “rrëmujën” e shkaktuar së fundmi nga kampioni i botës në fuqi. Madje duke ulur edhe pretendimet e tyre ekonomike deri në një shifër prej 80 milionë eurosh plus bonuse.

Pjaniç e Khedira hapin vendin

Po me krizën ekonomike që pritet të përballet futbolli italian dhe natyrisht edhe Juventusi, në Torino mund të ketë disa spastrime për të qëndruar të qetë edhe në lidhje me bilancet financiare. Me Pogbanë në mesfushë nuk duken më të domosdoshme shërbimet e Miralem Pjaniçit dhe Sami Khedirës. I pari vazhdon të jetë në shënjestrën e PSG-së dhe fakti që ende sot e kësaj dite ai mund të sjellë një shumë prej 60-70 milionë eurosh, largimi nga Torino për boshnjakun duket thuajse i firmosur.

pjanic-khedira_1b12ay2vnd5gc12ox8r14ztk27

Ndërsa për gjermanin, lamtumira do të lihet jo vetëm me faktin e moshës së madhe (32 vjeç) apo edhe të dëmtimeve të shumta të përsëritura, por edhe për shkak të pagës neto prej 6 milionë eurosh në sezon (skacdenca 2021), e cila rëndon shumë në bilanc. Prandaj, duke larguar Khedirën Juventusi jo vetëm kursen shumë miliona nga ato që i paguan “Profesorit”, por në të njëjtën kohë mund të arkëtojë edhe një shifër prej 10-15 milionë eurosh nga kartoni i tij.

1 sulmues vjen, 2 largohen

Një tjetër ide e Fabio Paratiçit është ajo e forcimit të repartit sulmues, por në fillim edhe këtu duhen bërë disa spastrime.  I pari që shihet si kandidat për t’u larguar është Gonzalo Higuain, i cili ka kontratën në skadencë në vitin 2021. Argjentinasi është në bisedime të vazhdueshme me Romën, ndonëse edhe një largim definitiv nga Italia nuk duket i pamundur.

paraticicii

Në të njëjtën kohë, dy të tjerë me valixhe në duar janë edhe Federiko Bernardeski, i cili ka shumë oferta në Itali dhe Europë, por edhe Duglas Kosta, shumë i kërkuar në Angli, por prej kohësh ka nisur të bëjë sondazhe Barcelona dhe Bajerni i Mynihut që mendon ta rikthejë. Braziliani, që në Torino duke duket shumë i domosdoshëm, gjithsesi nuk shihet më si i tillë nga njeriu i merkatos së Juventusit, sepse ndoshta harrojmë se bardhezinjtë e kanë mbyllur që në janar blerjen e tyre për korsitë anësore të sulmit, siç është Dejan Kulusevski.

Për 19-vjeçarin iu paguan Atalantës (bergamaskët zotërojnë kartonin, ndërsa lojtari luan i huazuar te Parma) 35 milionë euro, plus 9 milionë të tjera bonuse. Por nëse të paktën dy mes Higuainit, Kostës e Bernardeskit largohen kush pritet të zbarkojë në Torino? Paratiçi është i dashuruar pas Gabriel Zhezusit, brazilianit të ri të Mançester Sitit. Juventusi pa anglezët t’ia grabisnin pasi e kishin ndjekur të parët në Brazil, por ndoshta koha e ribashkimit mund të jetë kjo verë që po afron.

Zhezhus

Fundja, edhe vetë Zhezus, me Sitin që është dënuar me 2 vite pa Champions (kanë të drejtën e Apelit), nuk do të ishte shumë i lumtur që të qëndronte në Mançester. Objektivi i dytë në sulm është ai i përhershmi, Federiko Kieza, ylli vjollcë për të cilin Fiorentina ka ulur tashmë pretendimet nga 70 në 50-60 milionë euro. Por kujdes… Pista “Mauro Ikardi” ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet e nxehtë deri në sekondën e fundit të merkatos së ardhshme, qoftë nëse PSG-ja vendos që ta shlyejë nga Interi për 70 milionë, apo akoma më shumë nëse francezët vendosin që ta kthejnë me “postë” argjentinasin andej nga mbërriti.

Jeton Stamolla – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com