E bujshme nga Italia, Juventusi tratativë për yllin e Dortmundit. Ja prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 18:23

E bujshme nga Italia, Juventusi tratativë për yllin e Dortmundit. Ja prapaskenat

Juventusi duket se po përgatitet për një sulm të fortë ndaj Jadon Sanços, edhe pse një ide e tillë ka lindur falë një telefonate të marrë nga drejtuesit e Borusias së Dortmundit. 

Sanco

Nuk po flasim që kanë qenë gjermanët ata që ia kanë ofruar “Zonjës së Vjetër” talentin anglez të datëlindjes 2000, por verdhezinjtë kanë trokitur në Torino për të përforcuar skuadrën e tyre, në pritje të merkatos së janarit.

Njerëz të besuar të shefit të klubit, Hans-Joakim Vacke, të paktën siç raporton “calciomercato.it”, kanë qenë në orët e fundit në Torino, për të biseduar me drejtorin sportiv bardhezi, Fabio Paratiçi, mbi dy futbollistë në pronësi të Juventusit. Emrat që Dortmundi ka vënë në listën e shpenzimeve për merkaton e dimrit janë ato të mesfushorit gjerman, Emre Xhan, si dhe sulmuesi Federiko Bernardeski.

Për sa i përket të parit, tashmë dihet që Xhan nuk është i lumtur te kampionët e Italisë, jo vetëm si rrjedhojë e minutazhit të pakët në Serinë A, por edhe si rrjedhojë e lënies jashtë listës së Champions-it. Futbollisti me origjinë turke do ta pranonte me shumë dëshirë mundësinë për të luajtur me Dortmundin në janar, ndonëse Juventusi nuk do të tundohet lehtësisht.

Por edhe Bernardeski është një objektiv, për të cilin Dortmundi ka vënë në tavolinë 45 milionë euro, të njëjtën shifër që torinezët shpenzuan për t’ia rrëmbyer Fiorentinës dy vite më parë. Por pasi ka dëgjuar ofertat e emisarëve të Dortmundit, drejtorit Paratiçi i ka lindur një ide në kokë: të plotësojë kërkesat e gjermanëve për Emre Xhanin dhe Federiko Bernardeskin, në këmbim të Jadon Sanços, anësori ofensiv 18-vjeçar, i cili është shndërruar papritur në një çështje në skuadër.

juventus

Zëvendësimi i tij në minutën e 39-të të pjesës së parë ndaj Bajernit të Mynihut, pasi anglezi nuk po luante mirë, ka bërë që lojtari të kriset me trajnerin Favre, por Juvja është gati të përfitojë.

Dhe duke parë se vlera e Bernardeskit dhe Xhanit së bashku përllogaritet mes 90- 100 milionë eurove, po aq sa çfarë është edhe kërkesa e Borusias së Dortmundit për Jadon Sançon, Juventusi është gati që të lejojë bisedimet mes palëve (Xhanit e Bernardeskit me gjermanët), vetëm nëse verdhezinjtë e Bundesligës do t’u hapin rrugë kampionëve të Serisë A që të provojnë gjithashtu të bëjnë të tyrin “shigjetën” angleze të krahut të djathtë, një lojtar që së bashku me Duglas Kostën në korsinë e majtë bardhezi, do ta bënin edhe më të frikshëm Juventusin.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"